Policia turke arreston 373 protestues të krenarisë LGBTI në Stamboll
Policia turke ka shpërndarë përsëri brutalisht marshimin e Krenarisë në sheshin qendror Taksim të Stambollit dhe ka arrestuar 373 persona, përfshirë fotoreporterin e AFP-së, Bulent Kılıç.
Zyrat e guvernatorit të qarkut të Kadıköy dhe Beyoğlu në Stamboll ndaluan ditë më parë të gjitha ngjarjet e planifikuara si pjesë e Javës së Krenarisë LGBTI+ për një periudhë prej shtatë ditësh.
Policia e trazirave më 26 qershor pengoi hyrjen në sheshin Taksim dhe bllokoi shumë rrugë në lagjen e afërt Cihangir, ku njerëzit u përpoqën të mblidheshin. Transporti publik në zonë u mbyll gjithashtu.
Grupe të vogla njerëzish që mbanin flamuj me ylber dhe transgjinorë u mblodhën për një kohë të shkurtër ku mundën dhe brohoritën parrulla përpara se policia i shpërndau dhe i ndoqi nëpër rrugë, duke i arrestuar me forcë disa.
“Diskriminimi është krim, ylberi jo”, thërriste një grup, ndërsa disa të tjerë lexonin deklarata për të shënuar Javën e Krenarisë.
“373 aktivistë LGBTI+ u arrestuan dhe ata u liruan pas një nate në paraburgim,” njoftoi grupi i avokimit LGBTI+ Kaos GL më 27 qershor.
Policia turke sulmoi gjithashtu një marshim të Krenarisë në provincën perëndimore të Izmirit. Tetë persona u arrestuan dhe gazetarët përfshirë Berkcan Zengin u rrahën.
Zengin i tha Gazete Duvar se policia i kishte thënë: “Ne të njohim. Ju nuk jeni një qytetar normal.” Më pas, Zengin u godit nga një oficer policie teksa po bënte foto.
Istanbul Pride është ndaluar nga autoritetet turke që nga viti 2014. Deri atëherë, mijëra njerëz merrnin pjesë në paradën në Taksim.
Homoseksualiteti nuk është një krim në Turqi, por armiqësia ndaj tij është e përhapur dhe goditja e policisë ndaj paradave ka qenë gjithnjë e më e ashpër gjatë viteve.