Perspektiva të rezistencave trans: gratë trans janë gra
Në Bubble Pub në kuadër të Javës së Krenarisë u organizua diskutimi për situatën e grave trans në Kosovë dhe brenda lëvizjes. Për shkak të patriarkatit dhe transfobisë të cilat mbizotërojnë në Kosovë, gratë trans vazhdojnë të jenë një nga grupet shoqërore më të shtypura dhe të guximshme në të njëjtën kohë, si brenda edhe jashtë lëvizjes LGBTIQ+.
Diskutimi u fokusua në të drejtat dhe pranimin e grave trans, solidaritetin në mes tyre, dhe sfidat e tyre në një shoqëri e cila i glorifikon burrat cis-straight. Në këtë diskutim morën pjesë Qerkica, një nga nismëtaret e lëvizjes queer në Kosovë, Barbie, aktiviste dhe mbretëreshë drag, dhe Viki, aktiviste dhe mbretëreshë drag poashtu. Diskutimi u moderua nga një nga aktivistët më të zëshëm për çështjet queer, Agon Rexhepi.
“Njerëzit u çuditshin edhe thojshin kjo si çikë, kjo si çikë po e man veten, çka osht puna e saj. Marre për to e familjen e vet për çka bon. Përpara u kanë edhe ma keq po prapë se prapë e kam arritë qëllimin që me ndejt në këtë pozitë që jam si grua. Kemi pasë probleme e ofendime të mëdhaja të llojit se si qysh mashkulli m’u bo femen, ma mirë po ec një “bulash” se një femën. Rrugëve të lagjes kur jam kanë fmi më thojshin pse po rrin me çika e jo me djem. Kur u rrita ja nisën telashet edhe dhuna e më përzunën prej shpisë. Edhe kojshitë e rrethi familjar folshin keq. Unë kam dalë prej shpisë kur i kam pasë 13 vjet edhe kam ardhë në Prishtinë. Prishtina për mu osht vend i zemrës teme. Këtu e kam kuptu se çka jam pernime.” – na tregojë Qerkica kur u pyet rreth situatës të personave LGBTIQ+ në të kaluarën.
“Ligjet na ndikojnë në çdo rrethanë të jetës e në përditshmëri, si në punë ashtu edhe në shkollë. Nëse unë si transgjinore kisha mujtë me ndrru gjininë edhe emrin në dokumente ish konë shumë ma e lehtë me gjet punë edhe me prezantu veten me qashtu qysh identifikohem. Ndryshimi i ligjeve na kish bo jetën ma të lehtë edhe me të marrë ma seriozisht. Në momentin kur shteti nuk të ofron përkrahje për identitetin, ty shteti nuk po të ofron kurgjo. Nuk është liri veç me dalë në rrugë e m’u prezantu si vetja. Unë du me konë vizibile në vend të punës, fakultete e në çdo vend tjetër. Ne nuk jemi vizibile pothuasje kërkund përveç në hapësira publike.” – tha Barbie kur u pyet rreth rëndësisë për ndryshimin e ligjeve për personat transgjinorë dhe neglizhencës institucionale.
“Ndonjëherë na duhet me bo kompromis edhe m’u shëndrru në diçka që nuk je veç për me fitu pozitën e punës. Unë e shoh problematike edhe qasjen që e kemi edhe në rrugë, markete, lagje e gati në çdo qasje që njerëzit e kanë me neve. Ish konë shumë e udhës që me punu në këtë drejtim edhe në ndryshimin e ligjit për përcaktuesin e gjinisë dhe ndryshimin e emrit. Shpresojmë që institucionet kanë me punu në këtë pjesë. Është fitu një rast në gjykatë mirëpo ligji nuk ka ndryshu. Prishtina nuk është i vetmi vend që ka transgjinor edhe ne duhet me qenë zani i gjithë transgjinorëve që janë në qytete tjera e fshatra. Në kryeqytet i kemi disa privilegje, por në vende të tjera të Kosovës nuk është situata e njejtë. Unë nuk dua të viktimizohem, ne nuk jemi viktima, përkundrazi jemi shumë të forta derisa e pranojmë faktin që jemi kush jemi dhe përballemi çdo ditë me diskriminimin që e kemi. Pranimi i vetës është pjesë e vështirë. Kur e pranon vetën duhesh me pasë vetëbesim. Ka shumë njerëz, sidomos transgjinorë që kanë përjetu dhunë në familje e rrugë e kjo normal që ta ulë vetëbesimin. Në rrugë e kam pasë unë ma lehtë për shkak se e kam ditë çka du edhe e kam vazhdu rrugën me vetëbesim. Kam pasë ngacmime mirëpo nuk ju kam kushtu vëmendje e nuk kanë mujtë me më lëkundë. Kushdo që lëndohet, duhet me qëndru të fortë edhe me besu në vete.” – u shpreh Viki për vështirësitë e transgjinorëve në përditshmëri dhe punësim.
Diskutimi vazhdoj rreth pranueshmërisë të personave transgjinorë nga personat LGB ku Barbie u shpreh se “Fatkeqësisht ndonjëherë diskriminimi ndaj transgjinorëve brenda komunitetit është më i keq se kur vjen prej jashtë. Gratë transgjinore jemi si motra. I kemi dallimet tona mirëpo në fund të ditës nëse ndonjëra e ka ndonjë problem ne kemi me tentu që m’i ndihmu njëra tjetrës se vetëm ne e dijmë me çka ballafaqohemi. Komuniteti nuk është shumë i informuar për personat transgjinorë, jo krejt por shumica e kanë një qasje të gabuar. Shumica na shohin vetëm si meshkuj që dëshirojmë me prezantu vetën si femën” ndërsa Viki tha se “Kemi progres të qasjes ndaj personave transgjinorë brenda komunitetit. Unë nuk kam ndje ndonjëherë diskriminim brenda komunitetit, përkundrazi kam ndje respekt më të madh, të paktën në përballje të drejtpërdrejt. Kam raporte shumë të mira me persona gej, lezbike e biseksualë”.
Diskutimi përfundojë duke i ndarë perspektivat rreth (mos)përkrahjes nga Policia e Kosovës dhe vështirësive të cilat munden m’i pasë personat transgjinorë të cilët mund të kenë edhe aftësi të kufizuara fizike.