Dylbera n’krejt Kosovën, lëvizje vetëm n’Prishtinë
Dylberizm në kuadër të grupit organizativ të Prishtina Pride gjatë muajit maj ka organizuar 4 shfaqje të filmave të shkurtë në rajone të ndryshme të Kosovës.
Filmat të cilët janë shfaqur janë me regji të artistëve kosovar dhe prodhime të programeve të ndryshme të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest. Filmat janë shfaqur në Prizren në Kino Lumbardhi; Pejë në kinemanë “Jusuf Gërvalla”; Mitrovicë në Qendrën Shoqnore për Dekonstruksion dhe në Prishtinë në Kino Armata.
Këta filma e dokumentojnë jetën e personave queer në dimensione të ndryshme:
“Invisibles” me regji të Nita Zeqiri, Ishak Jalimam, Monika Simunac dhe Petar Antevski është prodhuar në vitin 2013 dhe e portretizon jetën e një çifti lezbik nga Kosova dhe momentet e lumtura të cilat i kanë me njëra tjetrën;
“KosovaTrans” me regji të Albrim Isufi, prodhim i vitit 2016 tregon se si një vajzë trans përballet me një jetë rigoroze dhe të ndarë në mënyrë strikte në mes burrave dhe grave;
“I fshehur mes jush” me regji të Arbër Topalli është prodhuar në vitin 2017 dhe e trajton historinë e zbulimit të seksualitetit të një adoleshenti në një familje e shoqëri të cilat thirren në traditë dhe janë konservatore;
“Përtej Ylberit” i vitit 2020 me regji të Vlera Azizit e dokumenton artin drag në Kosovë, i cili mbetet një ndër artet më argëtuese dhe të guximshme në të njëjtën kohë.
Këto shfaqje të filmave janë të rëndësishme për kolektivin e aktivistëve të Dylberizm jo vetëm për të shpërndarë informatën për Prishtina Pride, mirëpo edhe për të synuar decentralizimin e lëvizjes queer në Kosovë duke iu ofruar hapësira të sigurta personave të cilët nuk janë cis-heteroseksual e që jetojnë jashtë Prishtinës.
Viteve të fundit në kryeqytet ka pasur zhvillim të lëvizjes dhe fuqizimit të personave queer, mirëpo në rajonet e tjera situata ka mbetur pothuajse e njejtë. Për Dylberizm është e rëndësishme që çdo person që jeton në Kosovë të ndjehet i lirë dhe i sigurtë në vendin ku jeton, pa pasur nevojë që të pres ardhjen në Prishtinë ose të jetoj gjithë jetën në vetëmohim, dhunë emocionale, mendore dhe fizike.
Ne kemi dëgjuar shpesh për histori të personave të cilët janë larguar nga vendi ku kanë lindur për të kërkuar një vend më të sigurt, mirëpo nuk kemi dëgjuar mjaftueshëm për personat të cilët kanë vendosur që të qendrojnë në këto vende dhe t’i rezistojnë mendësisë hetero-patriarkale. Për këtë arsye, Dylberizm ka kontaktuar me persona queer nga Prizreni, Peja dhe Mitrovica gjatë këtyre aktiviteteve për të ditur më shumë rreth situatës në këto vende.
Në bisedë me një vajzë queer nga Prizreni vërehet se ka mungesë të hapësirave të cilat janë sigurta dhe skepticizmi se mundet me ndodhë një Paradë e Krenarisë në Prizren gjatë jetës së saj:
“Prizreni osht qyteti ma konservator, edhe rininë që e ka e ka konservatore. Nuk ka hapësira që janë specifikisht për personat queer, mirëpo ka hapësira e kafe të cilat janë queer friendly edhe pse mundet me qëllu dikush që osht homofob. Prej krejt hapësirave, Lumbardhi ka ma shumë guxim me sfidu këtë mendësi e me pasë audiencën queer. Prizren Pride ka me ndodhë, por kur nuk jemi gjallë na”.
Në anën tjetër, një djal queer nga po i njëjti rajon na tregon se sado që ka njerëz të cilët janë të hapur për seksualitetin e tyre, shumica mbesin duke bërë jetë të dyfishtë dhe gjithçka varet prej pranimit nga shoqëria e ngushtë dhe familja:
Jeta osht shumë diskrete, po ka edhe persona që janë ma out. Varet prej rrethit që e ki edhe sa të pranojnë. Une ndihem i sigurt në Prizren se më përkrah shoqnia, po prapë religjioni edhe familja vazhdojnë me konë problem. Në Prizren të kqyrin moshat ma të moshume, gratë ta knojnë nji dovë kishe kanë me të hek najsen, e burrat të lshojnë fjalë e të fishkëllojnë, po mundohem mos m’u fokusu në to. Lumbardhi edhe Destil jane hapësira të cilat janë ma të sigurta për personat queer. Mundemi me nejt edhe m’u mbledh. Nuk e shoh ndonjë Prizren Pride tu ndodhë në të ardhmen. Unë kom qef, po për shkak se osht vend i vogël kish mujtë me pasë ma shumë dhunë se shumë pak njerëz kishin dal në Pride.”
E njëjta situatë vërehet edhe në Pejë, ku përveç disa ngjarjeve kulturore nuk ka ndonjë hapësirë të ndarë për komunitetin LGBTIQ+ dhe gjasat që Peja Pride të ndodhë në një të ardhme të afërt janë të vogla. Një djal queer nga Peja na tregon më shumë rreth kësaj gjendje:
“Aktualisht, nuk ka hapësira ku personat queer munden haptas me u mbledh në qytet. Ka disa ngjarje kulturore e organizata që krijojnë mundësi për me mujt me u mbledh komuniteti, mirëpo nuk është se ka hapësira të ndara për komunitet. Sa i përket institucioneve lokale nuk është se ndërmarrin ndonjë iniciativë për të garantuar liri ose hapësira për komunitetin. Mungesa e hapësirave kultutore, rekreative e edukative është evidente për të gjithë, përfshi edhe personat queer. Nuk është se ka një politikë të mirëfilltë publike që parasheh krijimin e hapësirave të tilla. Një politikë e tillë urbane do të kishte për qëllim rregullimin e jetës së qytetarit dhe do të kishte njeriun dhe të drejtat e tyre në thelb të saj, mirëpo, shumica e politikave dhe strategjive aktuale nuk është se e kanë këtë në thelb. Kryesisht çfardo zhvillimi shoqëror aktualisht shihet vetëm prej spektrit ekonomik zhvillimor, e që në shumicën e rasteve ka për qëllim përfitimin ndaj një grupi të caktuar të njerzive e jo të gjithë qytetarëve. Problemi i personave queer në qytet është i ndërlidhur edhe me problemet që i prekin edhe qytetarët tjerë e që kryesisht burojnë prej orientimit zhvillimor që ka për qëllim e shkas zhvillimin jo të qëndrueshëm ekonomik. Në të ardhmen e afërt nuk e shoh Peja Pride tu ndodhë. Pas 10-15 viteve ndoshta edhe po.”
Ndryshe nga Peja, në Mitrovicë ka pasur dikur një hapësirë e cila ka funksionuar për të mbledhur komunitetin LGBTIQ+ në këtë rajon, mirëpo ka shumë vite që kur është mbyllur dhe vëmendja prapë është kthyer vetëm në Prishtinë. Ne e kemi kontaktuar një person queer nga ky qytet i cili na ka njoftuar më shumë për situatën atje:
“Që nga viti 2010 ose 2011 kur organizata CSGD ka pasë një hapësirë të quajtur “drop in center” s’kemi patur që nga ajo kohë deri në ditët e sotme një vend të posaqëm për personat LGBTIQ+ në Mitrovicë. Tani mund të them që është vetëm një vend Hane Pub që është gay friendly. Pasi që unë disi kam humbur shpresat si person që ka lindur në vitin 1988 edhe s’ka pa kurrë ndonjë veprim konkret nga disa organziata, disi kam humbur shpresë, por besoj që disa aktivitete vetëdijësuese dhe hapësira argëtimi për personat e ri LGBTIQ+ do ishin shumë të duhura. Sinqerisht nuk e shoh ndonjë Mitrovica Pride duke ndodhur, pavarësisht që do të doja të ndodhte, mendoj që fokusi i shumë institucioneve dhe organizatave për momentin është vetëm Prishtina fatkeqësisht.”
Pas shfaqjes të filmit në Prishtinë, Dylberizm ka organizuar edhe një panel diskutimi me një nga regjisoret, Nita Zeqirin e cila na ka njoftuar më shumë rreth procesit të filmit dhe mënyrën e funksionimit të lëvizjes queer në Kosovë:
“Ka shumë mundësi m’u rrit lëvizja, m’u zhvillu më shumë. Mendoj që duhet m’u hapë pak, me qenë ma gjithëpërfshirëse edhe me jep më shumë mundësi për secilin e secilën prej kado që vjen m’u bashku. Mos me mbetë vetëm në margjinat e organizatave, mirëpo me pasë kolektive e artistë/e që ju hapin dyret njerëzve tjerë. Ka progres prej viteve të kalume, e që gëzohem sa herë e shoh, por duke i parë krejt sfidat që i kemi si shoqëri ke dëshirë me ec ma përpara. Ka shumë shembuj të mirë në rajon e Evropë që mundemi m’i adaptu edhe me ec tutje e m’u zhvillu shumë më mirë levizja queer. Ka shumë zëra të ri që janë shumë të guximshëm, ka zëra që e kanë pasë vështirë në të kalumen e tash është më lehtë edhe për ata/ato. Mendoj që është kriju një dinamikë më e hapur por ka hapësirë për më shumë hapje.” – tha ajo gjatë diskutimit me një nga aktivistët e Dylberizm në Kino Armata.
Këto janë vetëm disa nga shumë perspektiva të tjera rreth situates të personave dhe lëvizjes queer të cilat gjinden në pjesë të ndryshme të Kosovës, mirëpo për shkak të centralizimit kanë mbetur në hije dhe pa mbështetje. Zhvillimi lëvizjes në Prishtinë sado që nuk është në nivel të kënaqshëm, nuk duhet të mbetet vetëm këtu. Në çdo festim për çlrimin tonë individual, duhet të mos harrojmë clirimin kolektiv të personave queer që një ditë të festojmë të gjithë/a bashkë.
Ky prodhim është bërë i mundur me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës. Përmbajtja është përgjegjësia e vetme e Dylberizm dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Zvicrës.