Krijimi i strehimores së parë shqiptare për personat LGBTI+. Xheni, Adela dhe Esmer ndajnë me Dylberizm angazhimin dhe sfidat.
STREHA, organizata joqeveritare me qendër në Tiranë, është qendra e parë rezidenciale për strehimin e personave LGBTI+ në të gjithë Evropën juglindore dhe që nga viti 2015, ofron shumë shërbime të ndryshme për personat LGBTI+ shqiptarë, të cilët janë në rrezik të vazhdueshëm për shkak të identitetit të tyre seksual apo gjinor.
Për të shkruar një artikull përshkrues të organizatës, Dylberizm është vënë në kontakt me personat që e kanë themeluar dhe/ose e drejtojnë atë për të realizuar një intervistë, duke u përpjekur të sjellë një përmbledhje të aktivitetit më shumë se shtatë vjeçar të kësaj strehimoreje të parë të llojit të saj në rajon.
Xheni Karaj, ndër aktivistet e para për të drejtat e komunitetit LGBT+, është edhe një ndër themeluesit e kësaj organizate. Për Dylberizm ajo tregon për iniciativat e para dhe fillimin e aktivitetit të STREHËS.
Xheni: Gjatë punës së vazhdueshme me individë të komunitetit LGBT+, kemi qenë gjithmonë në kontakt me problematikat dhe nevojat e komunitetit. Në vitin 2014, u përballëm me një rast krejt të ndryshëm, me rastin e një nëne lesbike, e cila nuk mund të siguronte as strehim për vete dhe për fëmijën e saj gjashtë muajsh. Ky rast na bëri të mendojmë nevojën e krijimit të një strehimoreje.
Në atë kohë, i propozuam Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për të krijuar një strehë me tetë shtretër më së shumti. Kërkesa ishte për të financuar vetëm aspektin e një strehimi emergjent në rast rreziku, pa përfshirë shërbimet tjera që ekzistojnë aktualisht. Ishte një sfidë që e ndërmorëm me shumë frikë, sepse përballë nesh kishim një shërbim shumë të kushtueshëm, ndërsa ne kishim pasiguritë tona nëse do të ishim të aftë, sepse asnjëri nuk ishte profesionist. Organizata e famshme strehimore angleze “Albert Kennedy Trust” ofroi të na ndihmonte për sa i përket trajnimeve të stafit si dhe nga ana administrative. Që në muajin e parë të hapjes, STREHA ka pasur shumë raste. Tetë shtretërit ishin gjithmonë të zënë. Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Kishim të bënim me raste të rënda të dhunës në familje, individë që ishin gjithmonë nën kërcënim dhe ka pasur nga ato raste ku edhe stafi i STREHËS është kërcënuar dhe u është rrezikuar jeta.
Duke qenë se ishte strehimorja e parë në Ballkan, menduam t’i japim mundësi çdo shqiptari që kishte nevojë. Kështu, pak nga pak, filluan të na kontaktojnë edhe shqiptarë queer nga Kosova dhe Mali i zi, fillimisht, e pastaj edhe nga Maqedonia e Veriut.
Që në fillim e dinim se ky shërbim do të ishte shumë i kushtueshëm. Strehimi, ushqimi, veshmbathja, etj. kanë kosto shumë të lartë, sepse është si të rrisësh një familje me shumë anëtarë dhe fondet nuk ishin të mjaftueshme. Për shumë vite na është dashur të bëjmë punë të fortë lobuese pranë “Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale” në Shqipëri, në mënyrë që ky institucion të kuptonte se duhet ta mbështeste këtë projekt të rëndësishëm. Kemi bërë shumë takime qoftë me “Ministrinë e Shëndetësisë”, qoftë me “Bashkinë e Tiranës” dhe kryetarin e saj, në mënyrë që të na ndihmonin financiarisht, duke mbuluar të paktën një pjesë të kostove. Vitin e kaluar, organizatat dhe institucionet shtetërore kanë mbuluar 80% të kostos së STREHËS. Synimi ynë është që të mbulohet 100% e kostove të STREHËS nga këto institucione.
Pjesën tjetër të kostove mundohemi ta mbulojmë nëpërmjet donatorëve dhe miqve tanë, sigurisht edhe nëpërmjet organizimit të ngjarjeve për të ngritur fonde. Që në fillimet tona, një herë në vit, kemi organizuar netë gala me artistë dhe performues të ndryshëm. Bileta e hyrjes kishte një çmim të caktuar dhe blerja e këtyre biletave krijonte fondet që na duheshin që STREHA të funksiononte. Në këto netë gala kanë performer këngëtarë të famshëm si p.sh. Boiken Lako, Semi Jaupaj, etj. dhe shumë biznese, që në fillim as që donin që emri i tyre të asocohej me kauzën LGBT, filluan të na ndihmonin në organizimin e këtyre netëve gala. Një biznes siguronte pijet, një tjetër ushqimin, një tjetër sallën ku do të mbahej ngjarja, etj.
Këto fonde që nuk vijnë nga institucionet shtetërore janë shumë të rëndësishme, sepse nuk bëjnë që STREHA të jetë thjesht strehimore emergjente, por e përmbushin idenë që ne kemi për STREHËN në tërësi. Idea e strehimores ka të bëjë shumë me fuqizimin e individit. Është shumë e rëndësishme që personave që përfitojnë nga shërbimet e STREHËS t’u jepet mundësia që t’i rrisin kapacitetet e tyre. Mundohemi shumë që t’i ndihmojmë të mësojnë një profesion, apo t’i gjejmë mundësi punësimi. Duke qenë se në Shqipëri rrogat janë të pamjaftueshme, një gjë tjetër e rëndësishme është t’i ndihmojmë për shembull me një bonus të qirasë, ku për dy – tri muajt e parë kur del nga strehimorja, STREHA të ndihmon të paguash gjysmën e qirasë. Në rastin kur është e mundur pagesa e plotë e qirasë, STREHA ndihmon në pjesën e pakove ushqimore, ose në vazhdimin e kursit profesional që një individ po ndjek.
Përveç Xheni Karajt, Dylberizm intervistoi edhe drejtoreshën ekzekutive aktuale, Adela Alikajn, dhe drejtuesen e projekteve të STREHËS, Esmer Kumanakun. Adela ka përfunduar studimet për psikologji klinike dhe ky është viti i tretë që punon në STREHË. Esmer, gjithashtu, ka përfunduar studimet për psikologji klinike dhe për të ky është viti i shtatë i punës. Duke qeshur, na tregoi se është databaza më e madhe e komunitetit LGBT+ shqiptar.
Sa raste po mbuloni tani në STREHË dhe si qëndron raporti i rasteve që marrin shërbim në strehimore përkundrejt rasteve jashtë saj? Cilat janë disa shërbime që ju ofroni?
Adela: 30% e rasteve marrin shërbim brenda ambienteve të STREHËS, ndërsa 70% janë raste që asistohen në distancë. Për momentin (nëntor, 2021), rreth 60 persona ndiqen jashtë STREHËS me komunikim të vazhdueshëm. Dy vitet e fundit, për shkak të pandemisë, ka pasur rritje shumë të madhe të rasteve që kemi pasur në distancë. Nga këto persona, 30 prej tyre nuk janë shtetas të Shqipërisë, por vijnë nga rajonet e tjera shqipfolëse. Disa nga shërbimet që këto persona po marrin në STREHË janë: strehimi, ndihma shëndetësore me analiza dhe vizita mjekësore, ndihma ligjore dhe psikologjike me jursitët dhe psikologët e organizatës.
Esmer: Nevojat e disa personave mund të përmbushen më mirë në distancë, prandaj edhe kemi punuar për të fuqizuar programin e mbështetjes në distancë. Ky program tashmë është bërë shumë më i kushtueshëm për shkak të kostove të strehimit jashtë STREHËS, pakove ushqimore, paketave higjienike, mbulimit të nevojave shëndetësore, etj. që ne përpiqemi t’i mbulojmë. Ky program fokusohet në mbështetjen që marrin personat në fazën tranzitore kur dalin nga shërbimi rezidencial dhe përballen me realitetin. Këto raste e kanë shumë të nevojshme të ndihen të mbështetur në këtë periudhë pasdaljeje që të mos përballen me frikërat e kësaj periudhe e të mos e shohin si dështim apo përballjen ta shohin si tejet të vështire e të pamundur. Ne kemi parë që duhet të fokusohemi aty për të mbledhur fonde monetare dhe na ka rezultuar edhe nga ndjekja e rasteve se është shumë e rëndësishme që individët të fillojnë të ndërtojnë jetën e tyre të pavarur.
Sa është koha mesatare e qëndrimit në STREHË dhe si bëhet menaxhimi i rasteve të ndryshme që kanë nevojë për ndihmën e strehimit?
Adela: Koha mesatare që një person qëndron në STREHË është 6 muaj, por sigurisht koha e qëndrimit varet shumë nga rasti specifik. Në 72 orët e para të pranimit në STREHË, çdo personi i caktohet një punonjës i rastit që është përgjegjës për një individ të caktuar gjatë gjithë qëndrimit në STREHË dhe gjatë mbështetjes jashtë saj. Punonjësi i rastit bën një vlerësim të hollësishëm të gjendjes së personit që hyn në STREHË dhe të nevojave të tij/saj. Menjëherë harton një plan ndihme dhe qartëson disa objektiva për të ardhmen e personit. Sipas këtyre objektivave varion edhe kohëqëndrimi i personit në STREHË. Punonjësi i rastit, çdo tre muaj, bën një rivlerësim të gjendjes së personit, duke parë se si po shkon përmbushja e objektivave, çfarë është arritur gjatë kësaj kohe që ka kaluar dhe ripërcakton objektiva të reja nëse është e nevojshme. Një fazë shumë e rëndësishme dhe delikate është faza e përgatitjes për daljen nga strehimorja. Kjo fazë përgatitjeje fillon rreth tre muaj para, në mënyrë që personat të ndihen të sigurt e të fuqizuar dhe dalja në një ambient që më përpara nuk ka qenë mikpritës, por ka qenë shkak që të vijnë në STREHË, të jetë sa më graduale dhe e pranueshme.
Esmer: Ne bëjmë gjithmonë një vlerësim risku për rastet dhe në momentin që vëmë re se ka akoma faktorë aktivë, sigurisht që ne nuk i rrezikojmë rastet duke i nxjerrë nga shërbimi. Bëjmë një plan ekonomik, plan social (a ka miq të mjaftueshëm apo ndihet akoma vetëm) dhe shohim si po ecën në shumë sfera. Edhe në rastet e suksesshme shërbimi ynë vazhdon edhe pasi këta persona dalin nga strehimorja. Ky shërbim nuk ka as limit kohe dhe as limit moshe.
Cilat janë rastet që përgjithësisht janë më sfiduese dhe është shumë më e vështirë të trajtohen?
Esmer: Me komunitetin transgjinor është shumë herë më e vështirë në çdo fushë, sepse qasja shoqërore është shumë më agresive krahasim me pjesën tjetër të komunitetit. Unë kam mbuluar pjesën e punësimit të personave që kanë marrë shërbimet e STREHËS. Kam pasur qasje të drejtpërdrejtë në çdo intervistë pune apo në çdo institucion publik që mundëson punësimin në Shqipëri dhe ajo që mund të them është se komuniteti transgjinor haset me shumë vështirësi. Është për të ardhur keq që për shkak se nuk ka shumë mundësi zgjedhjeje, këto persona detyrohen të bëjnë punonjësin e seksit për të mbijetuar. Gjithsesi, ka një numër personash që janë punësuar dhe vazhdojnë të kenë një punë të qëndrueshme. Tashmë kanë arritur të kenë një jetë të stabilizuar. Ajo që kemi vënë re është se personat e komunitetit LGBT+, kur janë të pavarur financiarisht sepse kanë një punë edhe reagimi familjar fillon dhe përmirësohet, zbutet dhe është më pranues.
Adela: Doja të shtoja se gjatë dy viteve të fundit të pandemisë, vendet e punës pak më miqësore kanë qenë qendrat e thirrjeve (call centers), kjo për faktin se mund të punohej nga shtëpia. E kanë pasur më të thjeshtë të punësohen, ta mbajnë vendin e punës dhe kanë pasur mundësi të punojnë larg presionit, sepse nuk ishte e nevojshme të frekuentonin ambientet e përbashkëta të punës.
Keni patur raste të ndërmjetësimit me familjarët? Si kanë qenë reagimet? Ka shumë raste pranimi?
Adela: Një nga shërbimet që ne ofrojmë është edhe ndërmjetësimi me familjen, sigurisht kur është kërkesë e personit, sepse ne nuk kontaktojmë askënd pa miratim paraprak. Ka shumë raste që ne kemi ndërhyrë kur ka qenë e vështirë për personin të bëjë një bisede me prindërit për t’i shpjeguar orientimin e tij/saj seksual, në rastet kur këta të fundit janë mosbesues. Ka raste të tjera kur vetëm njëri nga prindërit mund ta ketë pranuar situatën dhe ne jemi urë lidhëse kur personi dëshiron që ne ta informojmë prindin për gjendjen e tij/saj. Sigurisht që ka pasur edhe raste ku na është dashur ne të ndërhyjmë për shkak të kërcënimeve të shumta. Unë kam trajtuar një rast nga Kosova, ku personi ishte larguar nga shtëpia dhe u referua te ne nga CEL Kosova. Kërcënimet ishin të vazhdueshme, duke qenë se familjarë të personit punonin në “Policinë e Shtetit” dhe prindërit bënin presionin e përndjekjes. Me kalimin e kohës, është arritur që të ketë një komunikim fillestar me prindin më pranues (në këtë rast me nënën) dhe i kemi bërë të kuptojnë se fëmija i saj është mirë, po vazhdon studimet e larta në universitet, ne jemi vazhdimisht të gatshëm për ta ndihmuar, është në STREHË për një qëllim dhe kështu, dalëngadalë, prindi krijon më shumë siguri dhe bëhet më pranues. Nga një situatë shumë kërcënuese dhe të rrezikshme, aktualisht që flasim, personi ka marrëdhënie shumë të mira me familjen që është shndërruar në një familje shumë përkrahëse dhe pranuese. Mirëqenia e këtij personi u arrit edhe nëpërmjet familjes.
Esmer: Tani që po mendoja, më rezulton se të gjitha rastet e suksesshme që lidhen me ndërmjetësimin me familjet, janë me prindërit nga Kosova. Këtë e lidh me punën që ata bëjnë për të prindëruar më mirë dhe dëshirën e madhe për t’u informuar. Me rastet nga Kosova, ndërmjetësimi ka qenë shumë më i suksesshëm dhe niveli i pranimit ka qenë më i madh se sa në familjet që jetojnë aktualisht në Shqipëri.
Ndër grupimet më të mëdhaja të komunitetit LGBT+, si është shpërndarja e numrave të personave që vijnë të marrin shërbimet e STREHËS? Po mosha mesatare e tyre?
Adela: Sipas shpeshtësisë, rastet kanë këtë rënditje: djem gay, persona transgjinorë, biseksualë dhe në fund lesbiket. Shumica e rasteve janë djem gay ndërsa rastet me të pakta që kemi janë lesbiket. Ndoshta sepse për lesbiket është më e thjeshtë. Brenda shërbimit rezidencial janë ne pranojmë persona nga 18 në 29 vjeç. Pjesa më e madhe e tyre janë në fazën e coming out dhe përballen me format më të dhunshme të rezistencës shoqërore dhe familjare. Mosha më e shpeshtë që merr shërbime në STREHË është nga 19 në 21. Kjo moshë është ajo që kërkon shërbimin e strehimit më së shumti. Shumë shpesh përdorin justifikimin e zhvendosjes në Tiranë për shkak të ndjekjes së studimeve universitare për të fituar pavarësinë. Kjo është shumë e guximshme. Personi më i rritur që ka marrë shërbim në STREHË ka qenë rreth moshës 50 vjeçare. Në shërbimet që merren në distancë nuk ka limit mosha. Mjafton që personi të jetë adult.
Çfarë vizioni ka STREHA për të ardhmen?
Esmer: Synojmë që të përqëndrohemi më shumë në advokimin dhe lobimin për çështjet e ndryshme të komunitetit LGBT+. Për pjesën e advokimit kemi bërë një punë shumë të madhe, për sa kohë që nga viti 2019 e deri sot, STREHA po mbështetet nga “Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale” dhe nga “Bashkia e Tiranës” për mbulimin e pagave të punojësve të STREHËS. Kjo gjë na shtyn që të vazhdojmë advokimin që këto institucione të mbulojnë edhe shërbimet e tjera për rastet e veçanta. Planifikojmë të punojmë akoma më shumë në programe për ndërgjegjësimin shoqëror në tërësi. Kemi bërë edhe studimin e fundit, një nga studimet më shkencore që kemi arritur të bëjmë deri më tani me një kampion të madh, ku kanë marrë pjesë 200 anëtarë të komunitetit LGBT+, për sa i përket nevojat e këtij komuniteti dhe sa janë plotësuar nga ofruesit e shërbimeve. Si ky studim synojmë të kemi edhe të tjerë në të ardhmen.
STREHA vazhdon të ndihmojë qindra të rinj nga të gjitha rajonet shqipfolëse dhe vazhdon të lobojë për çështjet LGBT+. Pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë, STREHA do të rikthejë natën gala për mbledhjen e fondeve që shkojnë drejtpërdrejt për personat që ndihmohen nga kjo organizatë. Për Dylberizm, STREHA zbuloi se e ftuara e veçantë e natës gala do të jetë sopranoja me famë botërore, Inva Mula, ndërsa spektakli do të moderohet për herë të parë nga një drag queen, Vezirja. Gjithashtu, për herë të parë, STREHA organizon një ankand për vendosjen në shitje të disa fustaneve të dhuruara nga stilistë të famshëm. Përfitimet nga ky ankand shkojnë në fondin e përgjithshëm të organizatës. Risia e fundit që STREHA sjell këtë vit është edhe mundësia e çdo personi kudo në botë të marrë pjesë në këtë event nëpërmjet kyçjes online. Këtë vit nata gala do të mbahet me 31 maj.