Tu e lexu qitash
STREHA – Shtëpia alternative e personave LGBTI+

STREHA – Shtëpia alternative e personave LGBTI+

Asnjë person LGBTI+ nuk duhet të zgjedhë mes një shtëpie të sigurt dhe të qenurit vetvetja. Por, në raste kur nuk ka opsion tjetër pos kësaj, fatmirësisht ekziston një shtëpi ku mund të jemi vetvetja dhe ku na duan shumë për atë që jemi.

Kjo shtëpi quhet STREHA.

E themeluar në vitin 2015, por e nisur si projekt pilot nga dy organizata shqiptare LGBTI+ në vitin 2014, STREHA është e para qendër rezidenciale për personat LGBTI+ në Evropën juglindore. Me qendër në Tiranë, STREHA ofron strehim të sigurt të përkohshëm për personat LGBTI+ që për shkak të orientimit të tyre seksual, identitetit gjinor ose për arsye të tjera, rrezikohen nga mungesa e një banimi të sigurt si dhe nga dhuna në familje.

STREHA është një organizatë që siguron shërbime konkrete që i përgjigjen drejtpërdrejt dhe profesionalisht nevojave emergjente të të rinjve të komunitetit LGBTI+.

Këto shërbime u ofrohen të rinjve LGBTI+ nga mosha 18 deri 29 vjeç (ndonjëherë edhe më shumë) që përballen me kërcënimin e dëbimit nga shtëpitë e tyre (zakonisht në fazën e daljes hapur), ose për ata që e kanë të pamundur të jetojnë normalisht për shkak të dhunës në familje, diskriminimit dhe stigmës. Ndër shërbimet e tjera të ofruara, bëjnë pjesë edhe planet e shumta për zhvillim personal, mbështetja psiko–sociale, terapia në grup, këshillimi i karrierës, referimet tek shërbimet e specializuara, ndihma të ndryshme për punësim, ndërmjetësime me familjarët e personave, mbështetje mjekësore dhe ligjore, etj.

“STREHA” mbështetet vazhdimisht nga shumë organizata, por edhe individë të ndryshëm, si nga aspekti financiar, ashtu edhe nga aspekti profesional. Ndër vite, “STREHA” është mbështetur nga “USAID”, “Albert Kennedy Trust”, “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ambasada e Mbretërisë së Holandës si dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç shërbimeve bazë në ndihmë të drejtpërdrejtë të të rinjve LGBTI+, “STREHA” ka punuar gjerësisht për shpërndarjen e informacioneve në 12 këshille rajonale të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, në funksion të shërbimit të ofruar të të rinjve të pastrehë LGBTI+ në rrezik për përjashtim social, për shkak të orientimit të tyre seksual.

 “STREHA” është e licencuar që nga janari i vitit 2015 nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndërkohë, FEANTSA, Federata Evropiane e Organizatave Kombëtare e Punës me të Pastrehët, ka publikuar rishtazi një listë, ku përfshin organizatën “STREHA” si një ndër 17 organizatat më të mira në Evropë që ndihmojnë të rinjtë për të kapërcyer vështirësitë sociale që vijnë si pasojë e mos-strehimit.

Fillimisht, STREHA u themelua për t’u ardhur në ndihmë të rinjve LGBTI+ në Shqipëri, por shumë shpejt, kërkesat e shumta bënë që STREHA të hapë dyert e saj edhe për shqiptarët jashtë kufijve, si për shembull shqiptarët nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Ndër vite, “STREHA” ka ndihmuar 186 të rinj LGBTI+ në vështirësi nga më të ndryshmet.

Mënyrat e kontaktit të organizatës “STREHA” janë këto:
strehacenter.org
+355699839189
strehalgbt@gmail.com
facebook.com/strehalgbtshqiperi

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top