Sulmohet fizikisht aktivisti queer Bekim Asani në Tetovë
Të shtunën më 7 maj, në orët e pasdites është sulmuar fizikisht drejtori ekzekutiv i organizatës “LGBTI Junajted”, Bekim Asani. Sulmi ka ndodhur në varrezat e qytetit në Tetovë, ku Bekimi me nënën e tij 70-vjeçare ishin për të vizituar varrin e babait të tij.
Katër burra të moshës 20 deri në 40 vjeç të cilët ishin të ulur në stol fiilluan sulmin verbal duke i bërtitur atij “gej”, “i pa fe”, “shumë flet me gojën”, “do digjesh në ferr”.
Kur Bekimi dhe nëna e tij po dilnin nga varrezat, njëri prej tyre e goditi me grusht në fytyrë, pas së cilës Bekimi ka rënë në tokë, ndërsa sulmuesi ka vazhduar ta gjuante me shqelma në bark dhe në këmbë, duke iu drejtuar me fjalët “p***r i fëlliqur”.
E gjithë kjo ka ndodhur para syve të nënës së Bekimit. Bekimi dhe nëna e tij janë të shokuar nga sulmi, ndërsa nën stres janë edhe punonjësit e organizatës joqeveritare “LGBTI Junajted”.
Rasti është raportuar në polici, ndërsa Bekimi ka pranuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike në Tetovë, ku i është përshkruar terapi dhe është liruar për tretman shtëpiak.
Kjo nuk është hera e parë që aktivisti Asani dhe zyra e LGBTI United është sulmuar fizikisht. Në nëntor të vitit të kaluar, disa sulmues kanë tentuar ta thyejnë derën e zyres së organizatës, duke lënë grafite me simbole naziste dhe mbishkrime “VDIS” në gjuhën shqipe.
Dylberizm qëndron në solidaritet me LGBTI United, dhe me aktivistët queer në Tetovë, të cilët janë nën kërcënim të vazhdueshëm nga urrejtja dhe dhuna homofobike.
U bëjmë apel organeve të rendit të marrin masa konkrete për gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë. Krimet e bëra nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes kundër anëtarëve të komunitetit LGBTQ+ duhet të regjistrohen dhe përpunohen siç duhet përmes sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.