Bashkësia e Tarikateve të Kosovës me deklaratë të përbashkët kundër homofobisë
Të shtunën me 23 prill në Rahovec u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës (BTK). Në këtë kuvend u votua statuti i plotësuar i BTK, disa rregullore të reja dhe u zgjodhën funksionarë të ri.
Në këtë kuvend morën pjesë mbi 30 përfaqësues të komuniteteve të dervishëve të Kosovës të cilët përmes një deklarate të përbashkët, dhanë një mesazh për institucionet e Kosovës se ata përkrahin rrugën e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit modern, si një realizim i vizionit profetik për një shoqëri të diturisë, një shoqëri të solidaritetit, tolerancës dhe barazisë, shoqëri të sendërtimit të vlerave etike, ndërgjegjes dhe respektit gjithëpërfshirës, dhe si shoqëri e cila e kultivon të bukurën.
“Bashkësia e Tarikateve e përkrah shtetin e Kosovës në realizimin e sigurisë, mirëqenies dhe realizimin e një shoqërie të hapur për vlerat njerëzore. Bashkësia e Tarikateve do ti mbështet institucionet e Kosovës në ndërtimin e shtetit juridik i cili i realizon vlerat e përmendura e kundër korrupsionit, neglizhencës, keq menaxhimit, jo barazisë, përjashtimit dhe jo transparencës në shoqëri.” thuhet në deklaratën e publikuar në profilin zyrtar të BTK në Facebook.
E veçanta e kësaj deklarate qëndron në zotimin se kjo bashkësi do të punojë me institucionet e vendit në luftimin e homofobisë dhe mizogjinisë.
“Bashkësia e Tarikateve në veçanti dëshiron të punon s’bashku me institucionet e Kosovës në ndërtimin e një shoqërie pa paragjykime të cilat i njohim si racizmi, urrejtja etnike, homofobia, mizogjinia, islamofobia, sufifobia dhe forma tjera përjashtuese që prishin mirëbesimin në shoqëri” u tha ndër të tjera në deklaratë.
Kjo deklaratë e publikuar të dielën me 24 prill, shënon deklaratën e parë të ndonjë bashkësie fetare në Kosovë, e cila njeh publikisht homofobinë, racizmin, dhe mizogjininë si probleme të shoqërisë kosovare, dhe e cila ofron gatishmëri në luftimin e tyre.
Hiç më pak se dy muaj më parë, bashkësitë fetare, saktësisht prijësit fetarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Protestante Ungjillore, Dioqezës Prizen-Prishtinë (Kisha Katolike) dhe Bashkësisë Hebraike të Kosovës, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët kundër martesave mes seksit të njëjtë, në mes të diskursit publik mbi miratimin e Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës, i cili parashihte rregullimin e bashkësive civile për çiftet e seksit të njëjtë.
Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK), është organizëm ombrellë që i përfaqëson dervishët dhe tarikatet e tyre.
Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK) është bashkësia fetare e dytë me madhësi në vend, dhe i përfshinë në veti tarikate (komunitetet e dervishëve) në Kosovë dhe diasporë. Dervishët dhe Tarikatet u përjashtuan nga Bashkësia Fetare Islame e Jugosllavisë pas Luftës Dytë Botërore (1951). Që nga ajo kohë dervishët janë të organizuar dhe të pavarur.
Dylberizm përshëndet mesazhin e BTK-së ndaj institucioneve të Kosovës, duke uruar që ky të jetë një shembull i cili do të ndiqet edhe nga bashkësitë e tjera fetare në Kosovë, të cilat në vend të shpërndarjes së propagandës homofobike, transfobike, diskriminuese e populliste, të thirren në një shoqëri të diturisë, solidaritetit, tolerancës, barazisë dhe gjithëpërfshirjes.