Në Shkup u marshua kundër shtypjes së transgjinorëve
Me rastin e 31 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Dukshmërisë Trans, në Shkup u mbajt marshi kundër shtypjes së të drejtave të komunitetit transgjinor.
Nën moton “JEMI KËTU DHE PA LIGJ” transgjinorët së bashku me aktivistët dhe mbështetësit e tyre marshuan të enjten nëpër rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut duke shprehur pakënaqësinë e tyre për tërheqjen e Ligjit për Njohjen Ligjore Gjinore.
Ka dy vjet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka tradhtuar premtimin e saj për të përmirësuar të drejtat e personave transgjinorë dhe për të përmbushur premtimin zgjedhor për “një shoqëri për të gjithë”, thanë grupet e aktivistëve pasi qeveria tërhoqi javën e kaluar një projektligj që lejon një ndryshim ligjor të identitetit gjinor përmes një procedure të thjeshtuar noteriale.
“Vendi ka dështuar në ‘ndërtimin e një shoqërie për të gjithë’ dhe në përmbushjen e detyrimit të tij ndaj Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,” tha Lila Milic, nga Nisma për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave Transgjinorë (TransFormA ) me qendër në Shkup, për BIRN.
“Vendimi për të tërhequr projektligjin do të thotë se shteti i ka lënë njerëzit transgjinorë pa mbrojtje ligjore. Ne jemi të shqetësuar për përhapjen e panikut në lidhje me këtë projektligj pa kontrolluar përvojat praktike të vendeve të tjera ku ligje të tilla janë në fuqi,” shtoi Milic.
Ndryshimet në Ligjin për Regjistrin e Lindjeve, duke i lejuar personat transgjinorë të ndryshojnë më lehtë dhe pa shqyrtim identitetin gjinor, janë duke u përgatitur prej disa vitesh.
Qeveria Socialdemokrate miratoi një projektligj për këtë në prill 2021, dhe që atëherë shpresat janë rritur se së shpejti do ta gjente veten gati për miratim në parlament.
Por menjëherë pasi u dorëzua në parlament, qeveria këtë javë e tërhoqi befasisht pa shpjegim zyrtar.
Një burim i paidentifikuar qeveritar siguruar nga BIRN tha se projektligji do të ripunohet dhe se “ne nuk do të heqim dorë nga ky ligj”, që do të thotë se ai do t’i dorëzohet parlamentit në një datë të mëvonshme.
Megjithatë, një arsye tjetër e mundshme për tërheqjen e shpejtë është mungesa e mbështetjes për projektligjin nga shumica e partive politike përtej socialdemokratëve në pushtet.
Deputetët nga disa parti shqiptare etnike, duke përfshirë Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, i thanë BIRN të mërkurën në kushte anonimiteti se nuk janë gati të mbështesin projektligjin për arsye “fetare” dhe “morale”.
Partia kryesore opozitare e krahut të djathtë VMRO DPMNE e ka kundërshtuar projektligjin që në fillim.
“Edhe sa do të mbetemi peng i eksperimenteve sociale që shkatërrojnë, si shpirtërisht ashtu edhe mendërisht, rendin e civilizuar shoqëror? Qeveria duhet të ndalojë së nënvlerësuarit qytetarët maqedonas”, tha për medie të martën deputetja e VMRO DPMNR, Ivanka Vasilevska.
Në vend të kësaj, kjo parti ka sugjeruar që martesat e të njëjtit seks mund të lejohen përmes një procedure “backdoor”, me anë të së cilës çiftet do të martoheshin si burrë dhe një grua, dhe më pas njëri prej tyre do të ndryshonte ligjërisht gjininë.
Por Ilic tha se kjo do të ishte shumë e ndërlikuar. “Nuk është e vërtetë që ky projektligj do të prezantonte martesat e të njëjtit seks, sepse parashikon divorc të detyrueshëm nëse njëri prej partnerëve kërkon një ndryshim ligjor të gjinisë,” vuri në dukje ajo.
Pas disa padive që humbi Maqedonia e Veriut para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, më shumë se dhjetë persona kanë ndryshuar tashmë statusin e tyre gjinor në vend, tha Natasha Boskova, nga OJQ-ja për të drejtat e njeriut me qendër në Shkup, Margini [Margjinat].
Duke i kërkuar qeverisë që ta ri paraqesë projektligjin në parlament, Boskova tha se ndërkohë, “Ne do të vazhdojmë me kërkesat tona për mbrojtje ligjore nga shteti dhe nga GJEDNJ dhe vendi do të vazhdojë të paguajë dëmshpërblim për dëmet për shkeljen e të drejtave të këtij komuniteti”.
“Beteja jonë është politike, këtu jemi edhe pa ligj!” u tha ndër të tjera në marshin e mbajtur të enjten në Shkup.