Shkrim i Agon Rexhepit.
Dukshmëria e personave transgjinorë në shoqëritë homofobike e transfobike si ajo shqiptare, përkundër shtypjes dhe diskriminimit konsistent e sistematik, ka qenë gjithmonë politike dhe e rëndësishme. Rezistenca e personave transgjinorë, strategjia e ndryshimit të nivelit të dukshmërisë në bazë të rrethanave dhe organizimi i mirëfilltë i tyre janë gur themel historik dhe politik i një sistemi më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë e të barabartë.
Personat transgjinorë vazhdojnë të ballafaqohen me shumë sfida si pasojë e diskriminimit sistematik nga institucionet shtetërore dhe ato shoqërore. Niveli i lartë i transfobisë, mungesa e informacionit të duhur rreth personave transgjinorë dhe urrejtja kolektive janë shkaktarë të vështirësimit të jetesës së personave transgjinorë. Familja, shkolla, puna dhe rrethet e tjera shoqërore që supozohen të jenë vende të sigurta dhe pranuese, për personat transgjinorë ato zakonisht janë hapësira toksike, diskriminuese, bullizuese dhe shtypëse. Hapësira jashtëzakonisht traumatizuese janë po ashtu edhe hapësirat publike dhe gjithçka që i përket publikes.
Mungesa e përkrahjes institucionale, e shërbimeve shëndetësore e socio-ekonomike dhe mungesa e vullnetit politik për avancimin e të drejtave të personave transgjinorë ndikon po ashtu në jetën e përditshme të këtyre të fundit.
Këto janë vetëm disa prej sfidave me të cilat përballen personat transgjinorë. Përkundër kësaj, persona transgjinorë janë mjaft të dukshëm dhe të vullnetshëm për ta “manifestuar” identitetin e tyre dhe për luftuar kundër shtypjes shoqërore.
Dokumentimi dhe arkivimi i përvojave dhe eksperiencave të individëve transgjinorë është shumë i rëndësishëm dhe esencial sidomos kur shërben si pasqyrë e sfidave të lartpërmendura. Andaj, sidomos në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Dukshmërisë së Personave Transgjinorë, po kujtojmë dhe respektojmë një ndër gratë e para transgjinore, e cila e ka manifestuar identitetin e saj gjinor publikisht për më shumë se 30 vite. Ajo është njëra ndër shumë personat transgjinorë që ka dhënë kontribut në zhvillimin e lëvizjes LGBT, respektivisht lëvizjes trans.
Qerkica është një grua transgjinore ashkalike, e cila është mjaft e njohur për publikun shqiptar, sidomos për personat LGBTIQ+. Aktivizimi i saj konsiston kryesisht në ekzistencë, në fuqinë dhe guximin për të sfiduar çdo normë shoqërore dhe për ta manifestuar identitetin e saj gjinor përballë mohimit dhe asgjësimit sistematik.
Diskutimi me Qerkicën është gjithmonë i veçantë, i mbushur me emocione të cilat luhaten mes mërzisë, dhimbjes, empatisë, motivimit dhe dashurisë. Fytyra e saj shkëlqen vazhdimisht dhe është gjithmonë e gatshme për muhabet e mikpritje. E njëjtë ishte edhe kur trokitëm në derën e saj.
Fëmijëria e saj nuk kujtohet vetëm përmes kukullave, lojërave dhe problemeve të zakonshme të moshës. Fëmijëria e saj merr krejt kah tjetër që nga mosha 10 vjeçare kur ajo detyrohet të largohet nga familja e saj, e cila ishte vatër e sulmeve dhe dhunës ndaj saj. Familja që normalisht shërben si vend i sigurt i dashurisë, pranimit dhe përkrahjes, për personat LGBTIQ+ shpesh është pikënisja e shtypjes, dhunës dhe diskriminimit. “Për neve, personat LGBTIQ+, familja është ndryshe”- thotë Qerkica derisa kujton rastin e saj dhe të shokëve e shoqeve të saj që janë përjashtuar e dhunuar nga familjet e tyre për shkak të identitetit të tyre gjinor e seksual.
Familja nuk përbëhet gjithmonë nga lidhjet e gjaku. Qerkica tregon se ndjenjën e përkatësisë familjare e ka ndjerë në gjirin e saj shoqëror, mes shoqeve transgjinore. Kur pytet për kujtimet e bukura të jetesës së saj, ajo kryesisht flet për momentet që i ka kaluar me shoqet e saja transgjinore dhe shoqërinë e saj, nëpër mbledhi e aktivitete që kanë organizuar ato privatisht dhe në ato që kanë organizuar organizatat joqeveritare.
Në moshën 17 vjeçare jeta, veçanërisht ajo romantike, e dërgon Qerkicën në Pejë me vello të bardhë dhe krahë ish-burrit të saj. Ajo ishte e martuar për gati një vit. Njëherit, kjo është një ndër herët e para të njohura për ne që një person transgjinor bëhet pjesë e jetës popullore, respektivisht pjesë e një martese tradicionale heteroseksuale. Martesa e saj merr fund për shkak të presionit shoqëror. Gjithsesi, mbetet një pikë e rëndësishme e jetës së Qerkicës, rezistencës së saj dhe sfidimit të normave shoqërore, në periudha kohore kur situata socio-politike ishte e hallakatur, e dhunshme dhe injorante.
Dy vite më vonë Qerkica refuzon një mundësi për t’u shpërngulur në Itali për shkak të përkushtimit e dashurisë që ajo kishte për shokun e saj të verbër. Qysh prej atëherë, për tashmë 26 vite, Qerkica jeton bashkë me të. Shoqëria e tyre, përkushtimi dhe dashuria e pakusht që kanë për njëri-tjetrin janë të jashtëzakonshme dhe thurin një histori përrallash. Të harruar nga familjet e tyre dhe nga institucionet shtetërore dhe të paragjykuar nga shoqëria, ata kishin vetëm njëri-tjetrin.
Zemërgjerësia e Qerkicës, qëllimi i saj i mirë dhe dashuria që ka për njerëzit e saj janë të dukshme, të jashtëzakonshme dhe frymëzuese. Të rrallë janë njerëzit që i përkushtohen njerëzve të zemrës në këtë mënyrë, që përkujdesen për ta përzemërsisht.
Disa vite më vonë, Qerkica i rikrijoi lidhjet e humbura me familjen e saj. Pas shumë sfidave, e vetme përballë gjithë botës, Qerkica e morri dashurinë dhe pranimin nga familja e saj. Në fakt, këtë pranim dhe dashuri ajo e meritoi dhe e krijoi vet. Pranimi i saj në gjirin familjar, në një familje tradicionale ashkalike, është shumë i veçantë dhe i rrallë. Andaj, duhet vlerësuar konsistenca dhe strategjia që Qerkica përdori ndër vitë për të edukuar rrethin e saj shoqëror e familjar dhe për ta marrë dashurinë që ajo e meriton. “Kur familja më ka dhanë lirinë me e jetu jetën teme qysh unë du, m’u ka dokt sikur krejt lirinë e botës e kom marrë”- shprehet Qerkica.
Ajo ja doli të lironte krahët e saj të engjullit nga burgjet e normave shoqërore.
Qerkica ishte një ndër të parat që “theu akullin” dhe kundërshtoi normativitetin shoqëror për të jetuar të vërtetën e saj. “Uzurpimi” i hapësirave publike qysh në të 90-tat nga një grua transgjinore ashkalike është akt tejet politik dhe i jashtëzakonshëm. Shtypja sistematike dhe diskriminimi i shumëfishtë kanë qenë ende më të vrazhda në kohën kur Qerkica filloi të ishte vetvetja publikisht dhe ta pranonte identitetin e saj gjinor. Të panumërta janë rastet kur ajo dhe shoqet e saj ishin sulmuar verbalisht e fizikisht nga njerëzit. Ajo tregon se si izolimi ishte mënyrë e vetëmbrojtjes.
Qerkica sot është kryefamiljare dhe jeton në një mjedis ku gëzon respekt për atë kush ajo është, për zemrën e saj të madhe, qetësinë dhe mikpritjen, dashurinë dhe sinqeritetin. Ajo sot kujdeset për shokun e saj të verbër dhe për tre fëmijët e vëllait të saj që ka ndërruar jetë. Aftësitë e saj për të rehatuar secilin familjarë të familjes së saj janë të mrekullueshme.
“Duhemi me e dashtë njana-tjetrën. Boll na urrejnë hallku, boll na shajnë. Na duhet me nejt të bashkume, me e pëkrah njana-tjetrën, me e dashtë njana-tjetrën” shprehet Qerkica derisa sytë i shkëlqenin kur fliste se sa e lumtur është që sot ka më shumë persona transgjinorë në shoqëri që flasin dhe jetojnë hapur si të tillë.
Qerkica është një grua transgjinore ashkalike, kryefamiljare, pioniere e komunitetit transgjinor dhe një ikonë që rrezaton fuqinë, zemërgjerësinë dhe guximin e të qenit vetvetja. Dhe si e tillë, meriton mirënjohje, respekt dhe dashuri.
Agon Rexhepi është një aktivist i ri queer nga Prishtina. Si aktivist për të drejtat e njeriut, përmes blogut dhe poezisë, ai synon ta ngrisë vetëdijen rreth çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, e sidomos me të drejtat LGBTIQ+.
Ky artikull është bërë i mundur me mbështetjen e CSGD. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësia e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e CSGD apo të Dylberizm.