Konjufca: E pafalshme dhe e turpshme nëse personat LGBTI nuk konsiderohen njerëz
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë për emisionin “Tempus” në KTV të martën, është deklaruar rreth moskalimit të Kodit Civil në Kuvend, për çka ka thënë se është e pafalshme dhe e turpshme nëse personat që i takojnë komunitetit LGBTI konsiderohen jonjerëz apo njerëz të sëmurë.
“Çka ka ndodhë në Kuvendin e Kosovës atë ditë, unë e ndaj në dy aspekte. Në aspektin normal dhe në aspektin e pafalshëm. Aspekti normal është kjo, është shoqëria me qenë e ndarë për këtë temë, sepse kjo është temë fort specifike dhe vetëm pak shoqëri shumë të zhvilluara të vendeve demokratike, e kanë kaluar ndarjen e ashpër, kanë shkuar në kuotat 70%, mbi 70%. Në shoqëritë që janë pak më të brishta, është shumë e ashpër, është 50-50. Seanca e ka pas edhe një pjesë të pafalshme, kur ti nuk mjaftohesh me fjalën ‘s’po pajtohem’, por vazhdon të thuash ‘a e di pse s’pajtohem, sepse mendoj që këta nuk janë njerëz hiç’, kjo kategori e njerëzve që e zgjedhin orientimin e tyre seksual, ose ju thua janë gjysmë njerëz, ose janë të sëmurë. Kjo është e pafalshme, bile e turpshme për mendimin tim, sepse unë konsideroj se me vlerat më elementare bazike njerëzore e para, e dyta me konventat më të konsoliduara ndërkombëtare që e mbrojnë pa kurrfarë dileme integritetin e njeriut, unë mendoj që dinjiteti dhe integriteti i atyre njerëzve përmes kësaj gjuhe cenohet dhe sulmohet”, ka thënë ai.
Sipas Konjufcës, arsyeja kryesore përse nuk ka kaluar Kodi Civil, është pikërisht neni për bashkësitë civile për çiftet e të njëjtit seks, shkruan Koha.net.
“Ai nen i cili është nen specifik, mendoj që ka qenë arsyeja kryesore pse nuk ka kaluar Kodi Civil. Unë mendoj që ai nen e përbën 0.00 diçka për qind të Kodit Civil dhe çështjet shumë të rëndësishme që i rregullon ai. Por, në të njëjtën kohë jam i mendimit që ai e prek dhe tenton të rregullojë një të drejtë po ashtu të rëndësishme”, është shprehur Konjufca.