5 mënyra se si mund t’i përkrahni nxënësit LGBTIQ+
Me rastin e Ditës së Mësuesit, të cilën ia urojmë çdokujt që feston sot, Dylberizm po ju liston 5 mënyra se si mund t’i përkrahni nxënësit LGBTIQ+.
Kujtojmë se nxënësit LGBTIQ+ vazhdojnë të mbetën një ndër grupet më të stigmatizuara dhe bullizuara brenda ambienteve shkollore, qoftë nga bashkëmoshatarët apo kolektivi arsimor. Angazhimi institucional për luftimin e dukurisë së bullizmit, gjegjësisht ngacmimit për shkak të seksualitetit apo identitetit gjinor, është shumë i dobët, përkundër seriozitetit të problemit.
Duke e pasë parasysh sa shumë kohë nxënësit kalojnë në shkollë dhe rëndësinë që shkolla e ka në ndërtimin personal e profesional të nxënësve, është gjithmonë e rëndëisishmë që ambientet e shkollës të jenë mikpritëse dhe gjithëpërfshirëse.
Nëse ju dëshironi që të jëni një mësimdhënës gjithëpërfshirës dhe miqësor ndaj nxënësve LGBTIQ+, atëherë ne ju ftojmë me lexu këtë artikull dhe materialet e tjera edukuese në platformën tonë.
1. Fol për personat LGBTIQ+, për të drejtat LGBTIQ+
Diskursi publik rreth personave LGBTIQ+ , për shkak të nivelit të lartë të homofobisë e transfobisë, është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe shqetësues. Si rrjedhojë, informatat e sakta rreth komunitetit LGBTIQ+ janë të cenzuruara dhe jashtë rehatisë heteronormative e shtypëse. Andaj, është shumë e rëndësishme që ju t’i edukoni mirëfilli nxënësit tuaj rreth personave LGBTIQ+ dhe të drejtave LGBTIQ+. Nëse supozoni se nuk keni informata të mjaftueshme, ne ju këshillojmë të lexoni më shumë në platformën tonë apo në burime të tjera të besueshme dhe miqësorë ndaj komunitetit LGBTIQ+. Përveç që do t’i edukonit nxënësit rreth bashkëjetëses kolektive dhe nevojës për të respektuar të drejtat e njëri-tjetrit, ju po ashtu do të jetësoni dhe njihni sfidat e një grupi mjaft të shtypur shoqëror.
2. Shenja LGBTIQ+
Mjafton që në klasën tënde të ketë një flamur, një letër, një ngjitës a diçka të ngjashme që përfaqëon komunitetin LGBTIQ+, që ju të shiheni si mësimdhënës miqësor ndaj nxënësve LGBTIQ+ dhe si mësimdhënës gjithëpërfshirës. Njëkohësisht, kjo do të normalizonte të mbajturit e gjërave me karakter LGBTIQ+ në hapësira të përbashkëta publike. Për juvë kjo mund të mos jetë ndonjë gjë e madhe, por për nxënësit LGBTIQ+ do të ishtë shumë e rëndësishme, sidomos nëse ata nuk kanë ambiente të tjera të sigurta dhe pranuese.
3. Reago kundër homofobisë e transfobisë
Shumë shpesh bulllizmi apo ngacmimet ndodhin para syve të kolektivit arsimor. Andaj, nëse ju dëgjoni një rast të tillë, dikush në klasën tuaj ofendon dikë tjetër apo thjesht pikëpamjet e tyre janë homofobike e transfobike, është e rëndësishmë që ju ta potenconi homofobinë e transfobinë dhe të mos e toleroni atë. Të drejtat e njeriut dhe ekzistenca e njerëzve nuk është çështje mendimesh. Andaj, homofobia e transfobia nuk duhet toleruar asessi brenda institucioneve shtetërore.
4. Integro çështjet LGBTIQ+ në kurrikulën e lëndës tëndë
Është shumë e rëndësishmë që të flisni më shumë për personat LGBTIQ+ gjatë orarit shkollor. Edhe nëse lënda juaj nuk lidhet domosdoshmërisht me njerëzit, ju mund të merrni shembull të personave LGBTIQ+ të suksesshëm në fushën tuaj apo/edhe të merrni shembuj të ndryshëm që lidhet me personat LGBTIQ+. Kjo përveç ngritjes së vetëdijës së nxënësve rreth të drejtave LGBTIQ+, do të normalizonte diskutimin rreth kësaj teme me ta, sidomos për faktin se tema e personave LGBTIQ+ vazhdon të jetë tabu në shoqërinë tonë.
5. Krijoni një Klub Mbështetës për Diversitetin ose Nxënësit LGBTIQ+
Krijimi i një Klubi për Diversitetin do të ishte një mundësi e mirë e ngritjës së vetëdijës së nxënësve rreth diversitetit, rëndësisë së respektimit të të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës kolektive. Ju mund të iniconi bashkë me nxënësit kampanja të ndryshme edukuese që flasin kundër ngacmimeve seksuale, seksizmit, racizmit, homofobisë, transfobisë, ksenofobisë etj.
Po ashtu, ju mund të ja dedikoni një orë të veçantë të drejtave LGBTIQ+ dhe të organizoni një diskutim më mysafirë nga jashtë, si aktivistë të të drejtave të njeriut apo të drejtave LGBTIQ+, psikologë, punëtorë social apo/edhe sociologë.
Këto janë vetëm disa nga mënyrat se si mund t’i përkrahni nxënësit LGBTIQ+ si mësimdhënës. Shkolla është një ndër formacionet më të rëndësishme të zhvillimit të një individi. Andaj, përmes këtyre gjërave të thjeshta, ju mund të ndikoni pozitivisht në zhvillimin e shumë individëve.