Bashkësitë fetare bashkohen për urrejtje
Ashtu siç dikur janë mbledhur për të promovuar tolerancën fetare mes shqiptarëve, kësaj radhe ata u bashkuan për të promovuar urrejtjen.
Bashkësitë fetare, saktësisht prijësit fetarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Protestante Ungjillore, Dioqezës Prizen-Prishtinë (Kisha Katolike) dhe Bashkësisë Hebraike të Kosovës, kanë nënshkruar dje një deklaratë të përbashkët kundër martesave mes seksit të njëjtë.
Në këtë deklaratë ata thanë se ndryshimet ligjore sa i përket familjes dhe martesës cenojnë “fjalën e Zotit”. Deklaratën e tyre të plotë mund ta gjeni këtu.
Kjo deklaratë e përbashkët vë në pah nxitjen e urrejtjes, shpërndarjen e informatave shkencërisht të gabuara, përdorimin e një diskursi diskriminues dhe homofobik e transfobik dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Institucionet fetare përmes kësaj deklarate dhe qëndrimeve të tjera të ngjashme, po e ushqejnë një urrejtje kolektive të frikshme dhe të rrezikshme për vlerat e demokracisë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, gjegjësisht personave LGBTIQ+.
Fuqia që institucionet fetare kanë për të vendosur mbi organizimin shoqëror, “vlerat” shoqërore dhe mbi përkufizimet e familjes dhe dashurisë, është tejet shqetësuese edhe e rrezikshme për të ardhmen e shoqërisë sonë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Si akti më i lartë ligjor duhet të respektohet nga të gjithë njerëzit, pavarësisht këndvështrimeve e bindjeve personale. Moralizmat e institucioneve fetare janë paradoksale kur të njëjtit nuk kanë reaguar ndaj fenomeneve që njëmend po shkatërrojnë familjet si dhuna në familje, vrasja e grave, padrejtësitë në trashëgiminë në pronë etj.
Përveç skandaleve të shumta, këto institucione fetare po nxisin urrejtje dhe përçarje në shoqëri dhe krijojnë një “luftë” midis grupeve të ndryshme shoqërore. Këto institucione duhej ti shërbenin kësaj shoqërie në të mirë, duke promovuar vlerat e diversitetit dhe obligimin ligjor e moral për të respektuar zgjedhjet, të drejtat dhe ekzistencës e bashkë qytetarëve.
Të drejtat e njeriut nuk janë çështje mendimesh të disa individëve a institucioneve fetare. E drejta për besim fetar dhe praktikimin e fesë nuk duhet të shkelë të drejtën për jetë, për jetë dinjitoze, të drejtat për t’u dashuruar e për ta kurorëzuar dashurinë me martesë.
Është esenciale të kuptohet dhe pranohet kulturalisht se bashkëjetesa kolektive është e vetmja rrugë që shpie drejt një shoqërie të shëndetshme dhe të sigurt për të gjithë. Respektimi i të drejtave të njeriut është obligim ligjor, e do duhej të ishte edhe moral.
Ftojmë prijësit fetar, Myftiun Naim Tërnava, imzot Dodë Gjergjin, pastorin Femi Cakolli dhe Votim Demirin si dhe gjithë të tjerët, ta shfrytëzojnë platformën dhe fuqinë e tyre për adresimin e problemeve që njëmend e dëmtojnë shoqërinë si dhuna, vrasjet e diskriminimi, dhe të ndalin këtë propagandë homofobike, transfobike, diskriminuese e populliste, e cila fundin nuk e ka të lumtur për asnjërën palë.
Një shoqëri demokratike është dhe mbetet e tillë vetëm kur të drejtat e njeriut respektohen.