Prishtina hapi festivalin botëror Queer Cinema for Palestine
Të enjten me 11 nëntor në Kino Armata në Prishtinë është bërë hapja zyrtare e festivalit botëror Queer Cinema for Palestine, festivali i parë i solidaritetit global queer për Palestinën.
Queer Cinema for Palestine (QCP) është një festival filmi 10-ditor i kuruar kolektivisht që feston realitetet globale queer dhe qëndron në solidaritet me palestinezët. QCP i cili do të zgjasë deri me 20 nëntor ka organizuar dhjetra ngjarjesh në të gjithë botën, si në internet ashtu edhe fizikisht.
Programi në Prishtinë i kuruar nga Dylberizm ishte një ngjarje kulturore queer me poezi slam, performancë drag dhe me shfaqje të filmave të shkurtë ndërkombëtarë.
Aktivisti dhe shkrimtari Agon Rexhepi hapi mbrëmjen duke performuar poezinë e tij rrëqethëse “Marrja e shpisë”. Vera Vendetta, performuesja shqiptare drag nga Shkupi vazhdoi programin duke performuar poezi të autorit palestinez queer Fargo Nissim Tbakhi, duke vazhduar me këngën “Declare Independence” të cilën këngëtarja Björk e pat dedikuar për Kosovën në një koncert në Tokio.
Katër filma të shkurtë ndërkombëtarë janë shfaqur gjatë mbrëmjes.
“Inferno” nga Andrew Blackman (Zelanda e re) dhe dy filma brazilian “Flesh” të Camila Kater dhe “Invisible Man” të Luis Carlos de Alencar, filmat të cilët janë tërhequr nga festivali i filmit LGBT në Tel Aviv, dhe janë sjellë në QCP si shenjë solidariteti me popullin palestinez. “Sebastia” është filmi tjetër me regji të regjisores palestineze Dima Srouji që u shfaq të enjten.
Pas shfaqjes së filmave, u mbajt diskutimi me aktivistin dhe historianin Gramos Buçinca, aktivisten feministe Trina Binaku dhe poetin dhe gazetarin Arbër Selmani, mbi ndërthurjen dhe rëndësinë e të folurit mbi çështjen palestineze dhe të drejtave queer.
QCP është një iniciativë queer e solidaritetit global e para e llojit të vet që ofron një hapësirë të gjallë duke përdorur artin dhe kulturën për të kundërshtuar dhunën e vazhdueshme të aparteidit izraelit.
QCP vazhdon të shfaqë filma dhe dokumentarë duke përfshirë filma dhe artistë rajonalë palestinezë, master klasa me regjisorë, diskutime në panel, performanca drag, solidaritet queer indigjen, dhe më shumë.
Programin e plotë mund ta gjeni këtu.
Pas Prishtinës QCP do të presë ngjarje në qytete anembanë botës, duke përfshirë Seul, Bilbao, Tunis, Bejrut, Belfast, Paris, Montreal, Torino, Sofje dhe Londër, Ontario.