Formohet grupi mbështetës për personat LGBTQ+ në Kosovë
Organizata Supporting Groups Kosova e cila organizon grupe mbështetëse të shëndetit mendor, ka formuar grupin mbështetës për personat LGBTQ+.
Tash e tutje, të gjithë personat LGBTQ+ që jetojnë në Kosovë, kanë mundësi të marrin pjesë në takime javore të grupit mbështetës për personat LGBTQ+.
Grupet mbështetëse janë një vend i sigurt ku individët mund të ndajnë shqetësimet e tyre, të mësojnë gjëra të reja dhe bashkëbisedojnë me të tjerët në lidhje me temat që ju interesojnë.
Në një grup mbështetës, anëtarët i japin njëri -tjetrit lloje të ndryshme ndihme, zakonisht joprofesionale dhe jomateriale, për një karakteristikë të veçantë të përbashkët, zakonisht të rëndë. Anëtarët me të njëjtat çështje mund të mblidhen për ndarjen e strategjive të përballimit, për t’u ndjerë më të fuqizuar dhe për ta forcuar ndjenjën e komunitetit.
Ndihma mund të marrë formën e sigurimit dhe vlerësimit të informacionit përkatës, ndarjen e përvojave personale, dëgjimin dhe pranimin e përvojave të të tjerëve, sigurimin e mirëkuptimit empatik dhe krijimin e kontakteve sociale. Një grup mbështetës gjithashtu mund të punojë për të informuar publikun ose për t’u angazhuar në avokim.
“Qëllimi është të krijojmë një hapësirë ku njerëzit mund të ndajnë eksperiencat e tyre, përjetimet dhe të krijojnë lidhje të reja. Këto grupe janë të hapura dhe pa pagesë për të gjithë” thanë përfaqësuesit e organizatës për Dylberizm.
Nëse doni të merrni pjesë në takimet e grupit mbështetës, atëherë ju duhet ta plotësoni formën e regjistrimit që mund ta gjeni në këtë link apo në faqen zyrtare të Supporting Groups Kosova në Instagram.
Të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në takime mund të zgjedhin të mbesin anonim dhe nuk kanë nevojë të flasin nëse nuk ndjehen rehat. Ndër të tjera, në këto takime organizohen edhe lojëra rekreative dhe shërbehet kafe, çaj e biskota.
Takimet e grupit mbështetës për personat LGBTQ+ mbahen çdo të mërkure, duke filluar nga ora 16:00. Pasi të regjistroheni ju do të pranoni detajet e takimit dhe vendin ku do të mbahet.
Për më shume informata, vizitoni faqen e Supporting Groups Kosova në Instagram.