Mos i jep fund jetës pasi ajo është e gjatë dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë
T
Paralajmërim: Ky postim diskuton ndjenjat e vetëvrasjes dhe përmbajtja e mëposhtme mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues.
Që kur kam qenë i vogël, rreth moshës 5-7 vjeç, më pëlqente të vishja gjërat e vajzave.
Vishja p.sh: fustanet e motrave më të mëdha dhe ecja nëpër shtëpi. Isha i vogël atëherë dhe nuk e kuptoja se çfarë bëja. Edhe prindërit nuk mbaj mend të më thonin gjë për këto veprime, pasi më mendonin si të vogël dhe mund të ndryshoja më vonë.
Edhe kur dilja të luaja në lagje më pëlqente të luaja me vajzat dhe jo me djemtë. Edhe në kopsht, dhe në shkollë, derisa rreth klasës së tretë filluan të më ngacmonin disa nxënës në shkollë për zërin që nuk e kisha si të një djali. Por ky ishte vetëm fillimi. Kur fillova të rritesha më shumë (rreth klasës së pestë ose të gjashtë) disa djem të lagjes vazhduan të më bullizonin duke më thënë vajzë ose ndonjëherë gej. Ky bullizëm filloi të bëhej i vazhdueshëm edhe në ambientet e shkollës duke më vënë dhe në siklet me të tjerët, madje dhe në sy të mësueses.
Sigurisht që mësuesja ka ndërhyrë duke i bërë thyerje disipline, por kush po dëgjon. Rreth kësaj moshe, ndoshta edhe më parë fillova të kuptoja që nuk isha i njëjtë me djemtë e tjerë në lidhje me karakteristikat fizike dhe orientimin seksual. E pata kuptuar që nuk më tërhiqnin femrat pasi kur isha në prani të djemve vihesha në siklet, ndërsa në prani të vajzave isha më i lirshëm dhe isha më i shoqërueshëm me to.
Për këtë arsye arsye fillova të bëja kërkime në internet për homoseksualët dhe transgjinorët. Pas kësaj isha i sigurt për identitetin tim. Për shkak të bullizimit fillova të mbyllesha gjithnjë e më shumë në vetvete dhe të bija në depresion. Shumë herë e kam menduar vetëvrasjen, por nuk kam pasur guxim. Falë psikologes së shkollës (së cilës mora guximin t’i tregoj gjithçka pasi isha shumë i afruar, madje më shumë se me prindërit), më tregoi vlerën e jetës dhe që është një mundësi që Zoti ta jep vetëm njëherë në jetë. Kjo më bëri që të kisha më shumë besim në vetvete. Vitin e ardhshëm për fat të mirë u larguam nga kjo lagje e mallkuar dhe u vendosëm ne një qytet tjetër për arsye personale.
Nuk doja të bëja gabimin që kam bërë më parë kështu që u përpoqa të afrohesha me djemtë dhe jo me vajzat, por ishte e pamundur. Përkundrazi dhe në këtë shkollë filluan të më bullizonin në mënyrë akoma e më të keqe. E kuptova që kisha ardhur në këtë jetë vetëm për të vuajtur dhe rashë përsëri në depresion.
Kam tentuar ta vras veten fshehurazi duke u hedhur nga ballkoni i katit të dytë. Kur mbërrita në spital isha në gjendje të keqe dhe mami më ka thënë që në ato çaste vetëm lutej që unë të qëndroja gjallë. Më në fund mora guximin t’i tregoja mamit çdo gjë: që isha transgjinor dhe që për këtë arsye më bullizonin në shkollë. Ishte paksa e papritur për të pasi nuk ishte e përgatitur. Por pas dy ditëve ajo më tha që nuk kishte problem dhe që më pranonte ashtu siç isha. Për babin ishte pak më e vështirë që ta pranonte por tek e fundit fëmija i tij jam.
Pasi kam mbaruar gjimnazin në një shkollë tjetër kam bërë kurs anglishteje dhe e kam vazhduar studimet tek tezja në Kanada. Atje ishte një vend shumë miqësor dhe atje zura shumë miq. Askush nuk ma ka prekur këtë pikë të dobët siç kanë bërë në Shqipëri. Atëherë e kuptova se sa mbrapa jemi me vendet e tjera.
Tani e kam gjetur dashurinë e jetës dhe jetojmë në një qytet në Kanada, të lumtur dhe pa paragjykime si nga ana e prindërve por edhe e shoqërisë.
Doja t’i jepja një mesazh të gjithëve personave pjesë të komunitetit LGBTQ+ që ndoshta bullizohen: Mos i jep fund jetës pasi ajo është e gjatë dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë. Jeta është e jotja dhe jetoje dhe shijoje si të duash pasi nuk po jeton për të tjerët por për vete.