Mbahet Parada e tretë e Krenarisë në Sarajevë pas kundër-protestës
Parada e tretë e Krenarisë në Sarajevë filloi të shtunën në mesditë me pjesëmarrësit që festuan këtë ditë në një atmosferë të nxehtë dhe verore.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit, dhe të gjithë ata që erdhën për të mbështetur marshimin e Krenarisë u drejtuan drejt Rrugës Kosevo pasi u mblodhën në parkun pranë shkollës së mesme të Gjimnazit të Dytë të Sarajevës.
Pas Kosevo, ata kaluan nëpër rrugën Marsala Tita nga ku pastaj shkuan drejt ndërtesës së Parlamentit të Bosnje dhe Hercegovinës, nga ku organizatorët mbajtën fjalime për të përsërisur kërkesat e tyre kundër homofobisë, transfobisë, seksizmit, e fashizmit.
Rreth 300 pjesëmarrës në marshimin e Krenarisë u mblodhën në Sarajevë, këtë vit. Të gjithë theksuan rëndësinë e një manifestimi të tillë dhe sa e rëndësishme është të mbahet në Sarajevë duke vënë në dukje se të gjithë qytetarët, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual dhe indentiteti gjinor, duhet të respektohen dhe se të drejtat e tyre njerëzore duhet të promovohen.
Një protestë ‘Anti-LGBT’ e organizuar nga nisma “Iskorak”, e cila mbështetet nga partia politike “Besimi, Njerëzit, Shteti”, e themeluar nga teologu Sanin Musa ka përfunduar menjëherë para fillimit të marshimit të Krenarisë. Ata thanë se ishin kundër gjithçkaje që kërkon Parada e Krenarisë dhe se protesta e tyre ishte paqësore.
Deri në përfundim të ngjarjes, nuk u shënua asnjë incident. Vitin e kaluar, për shkak të pandemisë COVID-19, Sarajeva mbajti Paradën e Krenarisë me vetura.