Tre persona queer janë vrarë në Afrikën e Jugut, gjatë Muajit të Krenarisë
Valës së madhe të krimeve të urrejtjes në Afrikën e Jugut i janë shtuar vrasjet brutale të tri viktimave të tjera. Vdekja e tyre i shtohet listës së gjatë të vrasjeve të vazhdueshme e të pamëshirshme të personave LGBTQ+, raporton portali queer “Mamba Online”.
Anele Bhengu, një lezbike 22-vjeçare, u gjet e vdekur, në anë të rrugës të një qyteze në KwaZulu-Natal, gjatë fundjavës së shkuar. Bhengu raportohet të jetë therur, përdhunuar dhe ti jenë nxjerrë organet e brendshme, gjatë udhëtimit të saj për të takuar një të afërm, sipas një deklarate në Facebook të legjislaturës vendore.
Nontembeko Boyce, zëdhënësi i legjislaturës KZN, u shpreh se vrasja e Bhengut qe “një lajm shumë i dhimbshëm, sidomos gjatë Muajit të Krenarisë”. “Lezbiket, në shoqëri që janë shpeshherë homofobike dhe patriarkale, ballafaqohen me një rrezik akoma me të madh: me idenë se mund tu ndryshohet seksualiteti dhe mund të bëhen gra të vërteta nëpërmjet të ashtuquajturit përdhunim korrigjues,” tha Boyce në një deklaratë.
Në vitin 2011, BBC raportoi se 31 lezbike kanë qenë subjekt i sulmeve seksuale me qëllimin që t’u “ndryshohet” orientimi i tyre seksual, gjatë dhjetë viteve të fundit.
Lulama Mvandaba, një tjetër lezbike e zezë, u vra në shtëpinë e saj vetëm pak ditë para rastit të vdekjes së Bhengut. Mvandaba qe sulmuar nga tre burra në qytezën Khayelitsha të Kejptaunit, më 5 qershor. Sipas tabloidit afrikanojugor “Independent Online”, trupi i saj u gjet gjashtë ditë më vonë, kur fqinjët u detyruan të hynin me dhunë në ambientet e shtëpisë.
Ndërkohë që policia fillimisht kishte deklaruar se Mvandaba kishte vdekur prej shkaqeve natyrore, autopsia dëshmoi për shumë plagë sulmi, ku përfshihen shenja djegieje, që hedhin dyshime se Mvandaba është sulmuar me objekte të nxehta.
Familja e saj beson se ka qenë e shënjestruar për shkak të seksualitetit të saj.
Vëllai i Mvandabas, Mvelisi Mvandaba, u shpreh për “Independent Online”: “Në këtë pikë, kërkojmë vetëm privatësi dhe do të dalim me një deklaratë për vdekjen e saj sapo të marrim kohën tonë që ta vajtojmë, se fatkeqësisht ajo është vrarë për shkak të seksualitetit të saj dhe se ka qenë anëtare e komunitetit LGBTQI+. Jemi jashtë mase të shokuar e të traumatizuar si familje dhe vetëm mund të çojmë nëpër mend se si mund të ndihen të gjithë ata fëmijë që ajo ka ndihmuar.”
Sipas profilit në Facebook të Mvandabas, ajo ishte vullnetare në një organizatë që punon për të informuar të rinjtë mbi SIDA-n dhe për tu siguruar testime HIV grupeve të ndryshme brenda komunitetit.
Vetëm një ditë pas vrasjes së Mvandabas, një burrë gej 28-vjeçar u gjet i vdekur në qytetin Gqebera në Kepin Lindor, sipas Mamba Online. Edhe pse akoma nuk është bërë me dije nëse krimi ka qenë si pasojë e një plaçkitjeje apo krimi urrejtjeje, motra e tij spekuloi se krimi ka qenë i motivuar nga orientimi i tij seksual, duke marrë parasysh plagët e shumta të goditjeve me thikë të gjetura në trup.
“Dukej sikur dikush e urrente ose e donte me patjetër të vdekur,” tha Siphokazi, motra e të ndjerit, në një intervistë për “Mamba Online”. “Sikur te ketë qenë thjesht një plaçkitje, nuk do ta kishin goditur me thikë në atë mënyrë.
Siphokazi gjithashtu përshkroi vëllain e saj, i cili ishte parukier, si të shoqërueshëm, të dashur dhe që gjithmonë ishte duke qeshur. “Gjithmonë kujdesej për shokët dhe shoqet e tij,” tha ajo.
Sipas aktivistëve LGBTQ+, qeveria po injoron haptazi krizën që po përjeton komuniteti, pavarësisht faktit që aktivistët, për shumë muaj, po kërkojnë me ngulm që të ndërmerren masa. Mbi 200 persona marshuan në një një protestë Queer Lives Matter gjatë prillit për të sjellë vëmendjen tek vrasjet e viktimave si Anile “Lulu” Ntuthela dhe Nathaniel Mbele.
Marshuesit i parashtruan parlamentit një listë me kërkesa, por sipas Kamva Gwana, organizuesit të protestës Queer Lives Matter shumë pak gjëra kanë ndryshuar që atë kohë.
“I bëjmë thirrje parlamentit të mbajë një debat urgjent që përqendrohet te krimet e urrejtjes dhe te realiteti i komunitetit LGBTQ+ në përgjithësi. Gjithashtu i bëjmë thirrje Shërbimit Policor Afrikanojugor dhe Departamentit të Drejtësisë të kenë ndjeshmërinë e duhur ndaj krimeve që u bëhen trupave queer,” Gwana tha për Independent Online.
Gjithashtu tha se anëtarët e komunitetit LGBTQ+ nuk i raportojnë krimet e urrejtjes nga frika se do të vazhdojnë të përballen me diskriminim të mëtejshëm edhe nga policia.