Tu e lexu qitash
Kolegji Don Bosko në Gjilan nuk e publikon thënien e diplomimit të një maturanteje për shkak të përmbajtjes LGBTQ+

Kolegji Don Bosko në Gjilan nuk e publikon thënien e diplomimit të një maturanteje për shkak të përmbajtjes LGBTQ+

Një maturanteje të Kolegjit Don Bosko në Gjilan, i është ndaluar të përdorë thënien që ajo ka zgjedhur për diplomim, për shkak të përmbajtjes LGBTQ+.

Si çdo vit, me rastin e përfundimit të vitit të fundit të shkollës së mesme, maturantët e shkollave të ndryshme në Kosovë është dashur të zgjedhin një thënie për të përmbyllur rrugëtimin e tyre të edukimit të mesëm.

Këtë e kanë bërë edhe maturantët e Kolegjit Don Bosko në Gjilan, përveç një nxënëse, thënia e së cilës nuk është pranuar nga stafi i shkollës për shkak të përmbajtjes LGBTQ+.

Kolegji, i cili këtë vit në vend të librit të gjeneratës ka postuar fotografitë e maturantëve në rrjetet sociale së bashku me thëniet e tyre, ka refuzuar të përdorë thënien e një maturanteje e cila kishte zgjedhur një thënie në të cilën e shpreh identitetin e saj LGBTQ+.

Thënia që nxënësja kishte zgjedhur ishte “I started high school with straight 5’s, now I’m not even straight” që në shqip do të thotë “Kam filluar shkollën e mesme me 5-she të drejta, tash as që jam straight/heteroseksuale”.

Pasi që nxënësja e ka dërguar thënien që të përgatitet për postim, zyrtarja e kolegjit e cila ishte përgjegjëse për postimin e fotografive dhe thënieve në profilin e shkollës në Instagram dhe Facebook, Jezuela Muji, ka refuzuar të e pranoj thënien duke thënë se “nuk i takon shkollës të postoj gjëra të tilla”.

Në bisedën e zhvilluar mes nxënëses dhe znj. Muji, të cilën nxënësja e ka dërguar në redaksinë e Dylberizmit, shihet toni homofobik i zyrtares e cila refuzon të pranoj thënien pa dhënë ndonjë arsyetim mbi ndonjë rregulloreje të shkollës që ndalon publikimin e përmbajtjes së tillë.

Fotografia e maturantes më pas është postuar me një thënie tjetër, e cila nuk ishte zgjedhur nga ajo.

Dylberizm ka kontaktuar kolegjin dhe ka biseduar me zyrtaren Jezuela Muji mbi rastin në fjalë. Kur është pyetur se pse nuk është lejuar thënia e maturantes të përdoret për publikim, znj. Muji ka thënë se nuk i takon shkollës të e bëjë një “zbulim të tillë”

“Neve si staf i shkollës nuk na takon të postojmë përmbajtje të tillë pa pëlqimin e prindit” deklaroi znj. Muji për Dylberizm.

Kur është pyetur nëse kanë kërkuar pëlqimin e prindërit për publikimin e thënjes, znj. Muji tha “Jo ne nuk i kemi thirrë, po tash kemi me i thirrë masi na keni thirrë ju.”. Ajo gjithashtu konfirmoi që ata nuk kanë marrë pëlqimin e asnjë prindi për postimin e thënieve. Sipas saj të gjitha thëniet tjera kanë qenë në rregull përveç kësaj.

“Ajo nuk i ka tregu ma herët kërkujt, pse me tregu tash? Nuk i takon shkollës me publiku që ajo është gej, le ta publikon vet.” deklaroi znj. Muji për Dylberizm.

Kur është pyetur nëse kolegji  përmban edukim mbi çështjet LGBTQ+ në kurrikulën e shkollës, znj. Muji tha se çështjet LGBTQ+ përmenden diku në lëndën e Psikologjisë, si dhe kolegji Don Bosko është një shkollë e hapur për të rinjtë LGBTQ+.

Thënia e maturantes, edhe pse kishte pëlqimin e prindit të saj, nuk është lejuar të përdoret për publikim.


Ky rast na tregon edhe njëherë diskriminimin që të rinjtë LGBTQ+ përjetojnë çdo ditë në Kosovë. Kolegji Don Bosko, në vend se të e mbështes maturanten dhe të krijoj një hapësirë të sigurt për nxënësit e margjinalizuar, përkundrazi, ja ndaloi asaj mundësinë të jetë vetja dhe ja ndaloi lirinë që të ndajë hapur identitetin e saj.

Ne përgëzojmë guximin e nxënëses për të shprehur hapur vetën, dhe identitetin e saj queer. Ndonëse nuk e ka pasur mundësinë të frymëzoj bashkëmoshatarët e saj nga faqja e shkollës, ajo ka arritur të frymëzoj shumë të tjerë, përmes raportimit të këtij rasti të diskriminimit në redaksinë e platformës tonë.

Ftojmë të gjithë persona që i takojnë komunitetit LGBTQ+, të cilët kanë përjetuar raste të ngjashme apo raste tjera të diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, të ndihen të lirë të i raportojnë këto raste në platformën tonë. Identiteti juaj mbetet gjithmonë anonim, dhe të dhënat që ndani me ne mbesin gjithmonë konfidenciale.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top