Tu e lexu qitash
Kompania Green Taxi në Tiranë refuzon shërbimin ndaj personave transgjinorë

Kompania Green Taxi në Tiranë refuzon shërbimin ndaj personave transgjinorë

Një kompani e taksive në Tiranë, ka refuzuar të ofroj shërmbimin ndaj personave transgjinorë.

Më datë 26.03.2021, rreth orës 16:45, kompania e shërbimit taxi “Green Taxi”, përmes një akti të paprecedentë, refuzoi shërbimin ndaj personave transgjinorë në Tiranë, raporton Aleanca LGBTI.

Punonjësja e qendrës së thirrjeve pasi u pyet se përse nuk u ofrua shërbimi nga kompania që përfaqëson, u shpreh: “Asnjë nga shoferët nuk e merr. Nuk konceptojnë dot të fusin në makinë persona që janë tranvestitë.” Audio inqizimi i bisedës është publikuar nga Aleanca LGBTI.

Audio inqizimi i bisedës, publikuar nga Aleanca LGBTI.


Organizatat Aleanca LGBTI dhe Pro LGBT, pas kësaj ngjarje kërkojnë marrjen e masave nga institucioni i Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ndaj kompanisë Green Taxi.

“Në përgjigje të këtij incidenti kemi kryer raportimin pranë institucionit publik të pavarur të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD). Në bazë të nenit 1, 2, 4, 5 dhe 7 të Ligjit Nr. 10221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, i rikujtojmë kompanisë GreenTaxi dhe çdo subjekti tjetër fizik dhe juridik, qoftë biznes apo ofrues shërbimesh, se të refuzosh ofrimin e shërbimit ndaj çdo individi, për çdo shkak të përmendur nga neni 1 i këtij ligji dhe specifikisht për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor në rastin konkret, përbën shkelje të detyrimeve dhe garancive të Nenit 20, pika 2/f, ku parashikohet se: ‘’Personi fizik ose juridik që ofron të mira apo shërbime për publikun, me pagesë ose jo, ndalohet të diskriminojë një person tjetër, i cili kërkon t’i arrijë ose t’i përdorë ato:…2. Pika 1 e këtij neni zbatohet veçanërisht për: … f) lehtësi për transport ose udhëtim” thuhet ndër të tjera në deklaratën e publikuar të martën me 13 prill.

Komuniteti transgjinor në Shqipëri është i ekspozuar sistematikisht ndaj dhunës dhe diskriminimit, çka e bën tepër të vështirë marrjen e shërbimeve, si nga strukturat publike, ashtu dhe shërbimet e ofruara nga subjektet private.

Një hulumtim i vitit 2020 nga Aleanca LGBTI tregon se komuniteti transgjinor në Shqipëri e ka shumë të vështirë të punësohet, pothuajse të pamundur, një fakt që konfirmon edhe një herë se, për fat të keq, edhe brenda vetë komunitetit LGBTI ekziston një hierarki e margjinalizimit, ku komuniteti transgjinor, i cili në të njëjtën kohë sfidon normat më kritike dhe stereotipet gjinore të shoqërisë shqiptare, mbetet më i diskriminuar. Përfshirja në punën e seksit shihet si mënyra e vetme për të mbijetuar nga shumë anëtarë të komunitetit transgjinor.

“Individët transgjinorë janë qytetarë që në bazë të ligjeve në fuqi dhe garancive themelore të çdo shteti demokratik, meritojnë të gëzojnë efektivisht të drejta të barabarta, pa dallim nga pjesa tjetër e shoqërisë. Është e papranueshme që bindjet personale të disa personave apo të një  kompanie që funksionon në bazë të legjislacionit kombëtar në fuqi të vendosen përpara të drejtave të garantuara nga korpusi juridik.” u tha në fund të deklaratës.

Dylberizm ju fton të ndani pak kohë dhe ti shkruani kompanisë Green Taxi një mesazh ku e dënoni aktin transfobik ndaj miqve tanë trans në Tiranë. Numri është +355 69 800 2000 dhe mund ti shkruani në WhatsApp. Ja disa shembuj që mund ti përdorni:

Nuk ka Lëvizje Green pa respektimin e të drejtave të njeriut. Një kompani që refuzon të ofrojë shërbim për personat transgjinorë është kompani diskriminuese, dhe për këtë nga sot e tutje, unë do të bojkotoj të gjitha shërbimet tuaja, dhe do ftoj të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë. Turp!

Turp! Të mos ofroni shërbimin ndaj personave trans është shkelje ligjore, për të cilën do të keni pasoja. Nga sot unë nuk do të përdorë më kurrë shërbimin tuaj dhe do i ftoj gjithë miqtë e mi të e bojkotojnë kompaninë tuaj!

Njerëzit trans janë njerëz! Nëse nuk i shërbeni atyre, nuk meritoni ti shërbeni askujt. Unë dhe miqtë e mi do ta bojkotojmë shërbimin tuaj diskriminues.

Të drejtat trans janë të drejta të njeriut!

TURP!

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top