SHBA: Konfirmohet sekretari i parë i kabinetit që është haptazi gej
Në një votim historik, Senati Amerikan konfirmon Pete Buttigieg si Sekretar të Departamentit të Transportit. Buttigieg, i cili është nominuar nga Presidenti Joe Biden për këtë pozitë, bëhet amerikani i parë që mban një rol të kabinetit duke qenë haptazi pjesëtar i komunitetit LGBTQ+.
“Jam i nderuar dhe i urtësuar nga vota e sotme në Senat – dhe gati ta filloj punën” – shprehet Buttigieg në profilin e tij zyrtar në Twitter. Senati e konfirmoi nominimin e tij me 86 vota pro, në mënyrë dy-partiake.
I’m honored and humbled by today’s vote in the Senate—and ready to get to work @USDOT.
— Pete Buttigieg (@PeteButtigieg) February 2, 2021
Në vitin 2019, Pete Buttigieg ishte po ashtu kandidati i parë LGBTQ i hapur që synonte nominimin e Partisë Demokratike gjatë zgjedhjeve presidenciale. Para fushatës presidenciale, përgjatë viteve 2012-2019, ai shërbeu si kryetar i qytetit South Bend në Indiana. Pasi që u deklarua në vitin 2015, Buttigieg u bë zyrtari i parë gej i hapur në ekzekutivin e Indianës.
Kur nominimi i tij u deklarua, Buttigieg tha se ai ishte “i ndërgjegjshëm për faktin se sytë e historisë janë duke e shikuar këtë emërim,” duke e përkujtuar se kur ai ishte 17-vjeç, një prej të emëruarve nga ana e Presidentit të atëhershëm Bill Clinton ishte mohuar nga vota e Senatit për shkak se ishte gej. Gjatë dëgjimit kongresional për konfirmim, burri i Buttigieg-it, Chasten, u ul prapa tij në dhomën e seancës.
Buttigieg është duke marrë përsipër një departament transporti që ka 55,000 punonjës dhe një buxhet miliarda dollarësh. Ai ka premtuar që do të fillojë punës sa më shpejt e të promovojë siguri dhe ta restaurojë besimin e konsumatorëve të transportit amerikan. Gjithashtu, ai pritet të luajë rol kyç në promovimin e iniciativave të gjelbërta të Biden-it.