Unë jam në paqe me veten
F – 24 vjeç
Po e filloj këtë histori duke ju thanë që kjo histori nuk ka një fund; por ka një vazhdimsi të lumtur.
Një vajzë mesatare Kosovare, që normal si gjithë të tjerët pati frikë me qenë ndryshe, prandaj edhe u fsheh nën ombrellën e “normales”. Kjo jam unë, ose thënë më mirë isha deri para dy viteve. Kisha frikë me pranu seksualitetin tim prandaj edhe u mundova shumë ta ndryshoja, por ndryshimi nuk erdh asnjëherë, e në vend të tij erdhën depresioni dhe mizerija. Kam ba shumë gabime gjatë kësaj kohe, por gabimi më i madh ka qenë shtypja e vetes për hir të stereotipeve të shoqërisë tonë pak ca të prapambetun.
Kështu vazhdova rrjedhën deri sa vendosa me come out edhe me u shliru prej asaj barre të madhe që s’më lejojke as frymë me marrë lirshëm. Personi i parë tek i cili kam come out ka qenë bashkëshorti i asaj kohe (tash ex), që për fatin tem të mirë nuk reagoi keq. Madje edhe m’tha e kam kuptu me kohë.
Personi i dytë ishte shoqja e ngusht, reagimi i të cilës m’ka bo me krahë. “It’s okay, and please don’t freak out” m’tha. Ajo m’bani me e pa veten normale, më ndihmoi me e pranu veten edhe me e dasht’ veten. Më dha forcë me i përballu reagimet jo të mira të familjarëve që vijun kur ju tregova. Me suportin e saj nxori prej meje një forcë edhe një guxim që edhe unë nuk e kam ditë që e kisha pas.
Po e preki pak edhe temën e dashnisë. Deri këtë vit se kam leju askë me u fut n’zemër, ja kam ndalu të gjitha ndjenjat vetes nga frika e lëndimit. Derisa pa e kuptu ajo u fut. Edhe ma ka thanë ni fjali që kurrë s’kam me harru: “Unë kam me t’msu çka asht’ dashnija”; edhe ja doli. Fal saj msova dashninë, përjetova ato ndjenja që ta tjetërsojnë qenien që deri dje e ke pandeh si personalitet i pa ndryshum.
Ato ndjenja që të bajn’ me pa lule edhe n’ferr, por që edhe të djegin atëherë kur i mbyll sytë e e anashkalon zjarrin. Këto ndjenja janë të bukura dhe plot dhimbje, por prapë mendja jonë i ruan sikur të ishin thesare të fshehtësisë së Bermudës. Fatkeqësisht, ajo u largu shpejt dhe prej saj më mbetën këto kujtime, dhe këto ndjenja që sditën me u shujt.
Por më i rëndësishëm është fakti që unë jam në paqe me veten, e du veten deri në pafundësi. Arrita me e njoft’ veten, me i dasht’ të metat e mia e me i njoft’ vlerat e mia. Arrita me e vlersu veten për atë që jam.
Prandaj do kisha pas vetëm këtë porosi; dujeni veten edhe kur askush nuk ju don, vlerësojeni veten edhe kur askush nuk ju vlerëson, se atëherë keni me qenë të lumtur.