Adrian Morina: Ne si shoqëri nuk e kemi idenë për problemet e komunitetit LGBTQ+
Nuk është e zakonshme që në Kosovë, në hyrjet e teatrove, të ketë të ngjitur posterë të shfaqjeve queer, të cilat kanë personazhe kryesorë persona LGBTQ+. Ndonëse është diçka e rrallë, i gëzohemi rasteve të tilla, kur më në fund, personat queer mund të thërrasin shoqërinë e tyre për të shkuar në teatër për ta parë një shfaqje me të cilën mund të lidhen emocionalisht e të ndihen të përfaqësuar.
Kjo ka ndodhur së fundmi, me shfaqjen “Unë jam vetë grua” me regji të Kushtrim Koliqit, e cila është rishfaqur në Teatrin Dodona gjatë muajit të kaluar, e cila ishte dhënë premierë në Prishtinë në dhjetor të vitit 2019.
“Unë jam vetë grua” është një monodramë, në të cilën luhen rreth 30 personazhe të ndryshme nga aktori i njohur kosovar Adrian Morina, mirëpo që zhvillohet rreth jetës së personazhit kryesor, Charlotte von Mahlsdorf, një grua transgjinore gjermane, një e mbijetuar e dy sistemeve diktatoriale në Gjermani dhe themeluese e muzeut Gründerzeit, një ndër muzetë e para në Evropë që ekspozon antikuarë dhe gjësende nga kultura homoseksuale të Gjermanisë së asokohe, e cila ishte nën sisteme që targetonin homoseksualët, lezbiket dhe trangjinorët.
Shfaqja është një përzierje e papritur e emocioneve. Fillon me prezantimin e Von Mahlsdorf, duke ndezur e ndalur reflektorët, ku errësira e ndan fjalën e saj. Njoftohemi me një personazh karizmatik që lehtë e merr vëmendjen e publikut. Më pas, njoftohemi me personazhe të tjera, të cilët vështirë vërehen se luhen nga i njëjti aktor, të cilët shfaqin anët e errëta të jetës së Von Mahlsdorf, e cila përveçse ishte ndaluar të shprehej si vetja, ajo edhe ishte abuzuar seksualisht.
Më pas, publiku njihet me rrugëtimin e saj rreth zbulimit të identitetit të saj, jetës së saj seksuale me partnerë të ndryshëm, dhe hapjes së muzeut të saj në Berlin. E gjithë kjo, prezantuar në një skenë e paraqitur bukur si muze, nga skenografja Njomëza Luci. Gjatë gjithë kohës, në prapavijë shfaqen pamje të përjetimeve të saj, me muzikë të kompozuar nga Trimor Dhomi, dhe gjithmonë në efektin e dritave, dizajnuar nga Skender Latifi.
Monodrama “Unë jam vetë grua” është bashkëpunim i regjisorit Kushtrim Koliqi, me aktorin Adrian Morina, i cili me shumë krenari dhe mjeshtri, ka arritur të përçoj te publiku, të gjitha emocionet e mundshme, nga rrëfimi historik i jetës së trangjinores Von Mahlsdorf. Për këtë rol, ai u shpall aktori më i mirë i vitit 2019, nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.
Përderisa ne vazhdojmë të presim kur rolet queer do të luhen nga vetë aktorë queer, ne i gëzohemi përfaqësimit të dinjitetshëm të personazheve queer si në shfaqjen “Unë jam vetë grua”, ku është parë dedikimi dhe fuqia e aktorit Morina për të bërë një përfaqësim dinjitoz, për dallim nga aktori Ylber Bardhi, i cili ka luajtur rolin e një gruaje transgjinore në filmin “Zonjusha”, dhe më pas në një intervistë kishte treguar homofobinë e tij duke i quajtur personat LGBTQ si “jo-normal”.
Por si ka arritur Adrian Morina të e përfaqësoj kaq bukur një personazh queer? A është i njoftuar ai me sfidat dhe problemet e personave queer në Kosovë? Për këto e shumë të tjera, Dylberizm ka zhvilluar një intervistë me aktorin Morina, të cilën e gjeni më poshtë.
Si keni arritur deri te bashkëpunimi me regjisorin Kushtrim Koliqi për të e realizuar shfaqjen “Unë jam vetë grua”?
Me Kushtrimin kemi punuar edhe më parë në realizimin e shfaqjes “Kaligula”. Duke parë mprehtësinë, ndjeshmërinë, aktivizmin si edhe vizionin e tij për atë se cfarë është dhe për cfarë shërben teatri, kam besuar dhe vendsour që këtë shfaqje duhet ta realizojmë bashkë. Tekstin e kam marrë nga Artur Lena, një përkthyes dramash dhe tekstesh i cili jeton në Kanada tash e 20 vjet dhe të cilit i jam mirënjohës që ma propozoi këtë tekst. Ua kishte ofruar edhe disa kolegëve në Shqipëri por nuk kishin shprehur interes. Rashë në dashuri në lexim të parë dhe për asnjë moment nuk e pashë si modramë por një histori tronditëse e shkruar me mjeshtri nga Doug Wright.
A është roli i Charlotte von Mahlsdorf personazhi i parë queer (joheteroseksual) të cilin e keni luajtur? Nëse jo, cilat kanë qenë personazhet e kaluara queer të cilat i keni pasur?
Kam pasur rastin që edhe në disa shfaqje të tjera të kem role joheteroseksuale. Shfaqja e parë ka qenë “N’dorë e ka deputeti”, një adaptim i një komedie të Kristo Flloqit, regjinë e të cilës e patën bërë Faruk Begolli dhe Armond Morina. Ka qenë shumë i vështirë si proces edhe për shkak të moshës së re dhe papjekurisë sime si aktor, pasi që atë kohë isha në vit të dytë të fakultetit. Natyrsht, e kam pasur të vështirë derisa e kam bindur vetën për atë se kjo nuk është vetëm një shfaqje teatri por është edhe një angazhim qytetar. Për këtë i jam mirënjohës prof. Begolli i cili përvec artit të teatrit më ka mësuar artin e jetës.
Si ka qenë procesi i njohjes dhe mësimit rreth jetës dhe veprës së personazhit kryesor Charlotte von Mahlsdorf?
Prej muajit mars, kur e kam marrë tekstin, e deri në muajin tetor ne kemi patur takime pune me Kushtrimin dhe me një pjesë të ekipit të cilët qëndrojnë pas perdeve të teatrit. Duket sikur një rrëfim jo i zakonshme koha kaq e gjatë e përgatitjeve. Madje mund të tingëlloj si disa lajme që jemi mësuar ti lexojmë vetëm nga aktorë e regjisorë të huaj të cilët flasin për dedikimin që e kanë në realizimin e roleve të tyre, por kjo është e vërteta. Kemi qenë të përkushtuar kaq shumë në këtë projekt sa nuk kemi dashur që të fillojmë pa qenë gati për atë se cfarë duam të bëjmë. Pastaj procesi i provave ka zgjatur 33 ditë, pa asnjë të ditë të lirë, nga 8 deri në 12 orë punë në ditë. Natyrisht ka qenë proces i lodhshëm sepse vetëm ti je “shënjestër” e regjisorit, por kënaqësia ka qenë e madhe pas zbërthimit të secilit personazh, e që janë mbi 30-të, dhe pas zbërthimit të secilës skenë. Punë e jashtëzakonshme, por i rrethuar më njerëz si: Kushtrimi, Trimori, Bashkimi, Lumi, Skenda, Alberti ka qenë më e lehtë sepse besimi te njëri tjetri ka qenë shumë i madh.
A ju ka ndihmuar kjo shfaqje të njiheni nga afër me sfidat dhe problemet me të cilat përballen personat LGBTQ+ çdo ditë?
Duke qenë se për një kohë të gjatë kam qenë pjesëmarrës në disa projekte të cilat i përkasin teatrit të angazhuar, në të cilat nuk flitet e punohet vetëm për estetikën teatrore, po për sfidat e grupeve të “shënjuara”, të margjinalizuara, natyrisht se komunitetit LGBTQ+ pashmangshëm ka qenë pjesë e debateve dhe bisedave edhe me kolegë. Jo shpesh dikustimet për tema të këtilla janë të sinqerta. Por kur përpiqesh të jesh më afër këtij komuniteti, ti dëgjosh rrëfimet e tyre, vetëm atëherë e sheh se ne, në Kosovë, gati jetojmë një një univers paralel. Ne si shoqëri nuk e kemi idenë për problemet e këtij komuniteti, madje shpeshherë as që duam ti dëgjomë.
Si ka ndikuar ky rol në jetën tuaj personale dhe profesionale?
Gjithmonë jam edukuar dhe rritur edhe si njeri edhe si artist me bindjen se arti, teatri mund ta ndryshoj botën. Sado që kjo duket utopike, edhe më tutje ndajë të njejtën bindje. Po e ripërsëris se: nëse teatri ka arritur të më ndryshoj mua, pse atëherë unë të mos përpiqem ti ndryshoj të tjerët! Mund të tingëlloj vetëm si një frazë e bukur por unë vërtetë besoj, jetoj dhe do të vazhdoj të punoj cdo ditë që përmes tetarit ta bëjmë botën dhe jetën tonë më të mirë. Besoj se ky rol më ka bërë jo vetëm aktor më të mire (rol për të cilin jam shpërblyer nga MKRS, si aktori më i mirë i viti), por më ka bërë edhe njeri më të mirë.
Sa mendoni se kultura LGBTQ+ është e përfaqësuar në jetën kulturore dhe artistike në Kosovë?
Nuk jetojmë në kohë ideale ku njerëzit kanë mundësi të flasin hapur për atë se cfarë janë. Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për çështjet e këtij komuniteti, është një bisedë që nuk e e flasim hapur në Kosovë. Edhe nësë e bëjmë e flasim vetëm nëpër tavolina shumë të vogla. Nëse jemi kaq të mbyllur si shoqëri, për të folur hapur për këtë temë por edhe çështje të tjera, atëherë imagjinojeni hapësirën që e ka ky komunitet në jetën artistike. Nuk mund ta mohoj se ka raste individuale, përjashtime, mbase kur ndonjë artist individualisht arrin sukese me artin e tij në skenat ndërkombëtare, atëherë ne turremi që të përvetësojme sukeset e tij sikur të ishin kushedi çfarë invsetim i yni në këta artistë. Ndërsa kur bëhet fjalë për artistë “vdekatarë”, atëherë ne edhe ma tutje vazhdojmë ti mbajmë të izoluar në artin e tyre.
A ka ndodhur ndonjëherë përgjatë karrierës tuaj artistike, të hasni në diskriminim LGBTQ+, qoftë në jetën personale qoftë në skenën e artit? Si ka qenë përvoja?
Nuk kam hasur shpesh në eksperinca të tilla sepse është e vështirë për komunitetin LGBTQ+ të flasin ose të deklarohen hapur për seksualitetin e tyre. Dikush mund të më kundërshtojë në këtë? Mund të thotë se: ne kemi edhe Paradën e nderit? Kjo paradë në disa prej vendeve të rajonit as nuk mund të mbahet? Kësaj parade i prinë Presidenti? Po është e vërtet! Është një ditë në vit! Me truproje, me policë, me përcjellje…me, me, me. Çfarë bëjnë këta njerëz edhe 365 ditët të tjera? A i mbron policia? A i mbron Presidenti? A i mbrojmë ne? Besoj se s’ka nevojë të zgjatem me përgjigje.
Çka mendoni se do të kishte ndihmuar shoqërinë në Kosovë për të u vetëdijësuar mbi çështjet LGBTQ+?
Respektimi i të drejtave të secilit komunitet jo vetëm në letër. Jo vetëm në kushtetutë të shkruajmë e të zbukurojmë, e të fshihemi pas kushtetutës si ndërtesat e rrënuara pas fasadave të zbukuruara, sepse e drejta në letër s’ka asnjë kuptim. Këtë e dijmë më së miri ne si popull. E kaluara jonë e afërt dhe e freskët na tregon se si kemi jetuar ne në letër dhe si në realitet. Duhet të provojmë të ndryshojmë sinqerisht. E vërtetë, vijmë nga një shoqëri patriarkale, konservative, sado që neve na pëlqen të themi se jemi evropianët e rinjë, por evropianët e rinjë duhet të bëjnë më shumë për të pranuar secilën kategori të shoqërisë.
Cilët janë artistët, autorët, apo çfarëdo personaliteti tjetër LGBTQ+ që ju e adhuroni ose e preferoni?
Edhe pse është bërë gati një vit nga premiera e shfaqjes “Unë jam vetë grua”, edhe më tutje jam i dashuruar marrëzisht në Charlote von Mahldorf (Lothar Berfelde), është unike. Disa prej artistëve të Komunitetit LGBTQ+ ose artistëve që kanë shtyrë kauzat e këtij komuniteti, me punën e të cilëve jam i njohur janë F.Mercury, J. Cage, F. Bacon, A. Warhol edhe shumë të tjerë për të cilët të jemi sinqertë jam njohur gjatë hulumtimit që kam bërë për realizimin e shfaqjes. Përjashto këtu emrat e artistëve me famë botërore për të cilët dihet dhe flitet hapur për orientimin e tyre seksual.
Cili do të ishte mesazhi i juaj për artistët e rinj LGBTQ+ kosovarë?
Të mos dorëzohen asnjeherë para askujt dhe për asnjë çmim. Fatëkeqësisht në kohën që po jetojmë lirinë nuk duhet ta marrim si të qenë! Atë, fatëkeqësisht, edhe më tutje duhet ta fitojmë. Prandaj të punojmë të gjithë bashkë. Bashkë mundemi!