Asambleistja e VV-së në Prishtinë: Reklamimi i LGBT-së në TV, i tepërt.
Leonora Shabani Bajraktari, asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka ndarë me miqtë e saj sot në profilin e saj në Facebook se nuk është një homofobe, por… në fund është një homofobe.
Asambleistja Shabani Bajraktari siç duket është acaruar me një video promocionale të transmetuar së fundmi në televizionet kosovare, në të cilën shihet një çift lezbik, ku njëra nga vajzat i propozon martesë tjetrës.
Ajo fillon postimin duke thënë se “Nuk jam kundër komunitetit LGBT, mbi të gjithë ky komunitet mbrohet dhe me kushtetutë. Ky komunitet është i përfshirë në shoqërinë tonë, edhe pse ka prej atyre familjeve që ende nuk pajtohen se fëmija i tyre i përket këtij komuniteti, me kalimin e kohës do të pajtohen, njejt si në të gjitha shtetet perendimore.”
Diskrepanca me vetëvetën vjen në pjesën e dytë ku ajo deklaron: “Por, reklama në TV e sponzoruar nga komuniteti LGBT, ku një vajzë i propozon vajzës tjetër martesë, po më duket e tepërt. Kemi pas çasje cdo herë në TV-t ndërkombëtare asnjëherë nuk ma ka kap syni një reklam të tillë.”
Sipas znj. Shabani Bajraktari, të shikosh një reklamë në televizon ku shfaqen dy persona që dashurojnë njëri tjetrin dhe propozohet martesa, është e tepërt për shikuesit. Problemi për të qëndron se këta dy persona janë dy vajza.
Për vite me radhë, televizonet tona janë plotë e përplotë skena, reklama, emisione, videoklipe në të cilat promovohet martesa heteroseksuale, duke krijuar heteroseksualitetin si normë e vetme e pranuar në shoqëri. Gjatë gjithë këtyre viteve, persona LGBT+ kanë vazhduar të linden e të jetojnë si LGBT+, e gjithë këto “reklamime të heteroseksualitetit” nuk kanë kryer punë që të përfundojmë si heteroseksualë. Prandaj znj. Asambleiste, edhe ju nuk do të përfundoni si LGBT+ nëse nuk jeni LGBT+.
Seksualiteti i një njeriu nuk përcaktohet nga një reklamë në televizion.