Tu e lexu qitash
Prishtina në prag të Paradës së Krenarisë me vetura
Nale Dheze

Prishtina në prag të Paradës së Krenarisë me vetura

Parada e Krenarisë në Prishtinë po vjen. Me 12 tetor, duke filluar nga ora 12:00, nën sloganin “Po, du”, Parada e Krenarisë, do të organizohet me vetura në rrugët e Prishtinës, për të adresuar sfidat, kërkesat si dhe për të shfaqur prezencën e personave LGBTI në Kosovë.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit Parada e Krenarisë do të shkurtohet në vetëm një ditë me aktivitete, ku përpos Paradës me vetura, do të mbahet edhe diskutimi FemTalk me temën ‘’Parada në kushtet e Pandemisë’’.

Parada është organizuar nga organizatat CEL dhe CSGD në partneritet me Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Qendra për Studime Gjinore (QKSGJ), dhe Civil Rights Defenders (CRD).

Këtë vit organizatorët kanë vendosur që të kërkojnë drejtësi në vendimet e kodit civil lidhur me përjashtimin e martesave të seksit të njëjtë.

“Duke u bazuar në masat mbrojtëse për parandalimin e COVID 19, këtë vit jemi inspiruar nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Parada e Krenarisë është organizuar me vetura. Për ne si aktivistë është shumë me rëndësi të shënohet kjo ditë, pasi që është një nga ditët e pakëta në të cilën mund të jemi vizibil, të ngrisim vetëdije dhe të kemi fokusin e shoqërisë tek ne” ka deklaruar për Dylberizm aktivisti Lend Mustafa nga organizata CEL.

Për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, Paradat e Krenarisë në shumë vende të botës janë anuluar ose janë organizuar në forma të ndryshme. Shumë shtete kanë transformuar aktivitetet e tyre të për vjetshme në aktivitete online, duke ju dhënë mundësinë të gjithëve të marrin pjesë në festimet e Krenarisë nga shtëpitë e tyre.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë mbajtur Javën e Krenarisë duke organizuar evente të ndryshme online, si performance drag, ekspozita të artistëve queer, panele diskutimi mbi çështjet queer etj. Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar Paradën e dytë të Krenarisë duke vërshuar Sarajevën me flamuj krenarie në Paradën e veturave.

Për të marrë pjesë në Paradën e Krenarisë në Prishtinë, ju duheni të regjistroheni në formularin që mund ta gjeni në këtë link.

Është me rëndësi që për shkak të natyrës së organizimit, të lexohen me kujdes udhëzimet e postuara në eventin e Paradës në Facebook. Për çështje sigurie dhe situatës pandemike, numri i veturave është i limituar. Do të lejohen vetëm 30 vetura dhe të gjithë pjesëmarrësit duhet të mbajnë në mend se për çdo veturë, vetëm 3 persona mund jenë brenda. Jashtë veturave nuk do të lejohet asnjë individ. Pas përmbushjes së numrit të paraparë të veturave, linku do të deaktivizohet dhe regjistrimet e pranuara do të njoftohen përmes email-it.

 “COVID-19 është gjithashtu shkaku kryesor pse këtë vit nuk do të ketë Javë të Krenarisë por vetëm Paradë. Kufizimi i numrit në mbledhje dhe masa të tjera kanë vështirësuar procesin e organizimit të aktiviteteve. Gjithashtu, për shkak të karantinës ne nuk kemi pasë mundësi të fillojmë me organizim me kohë, duke marrë parasysh që zakonisht fillojmë me organizimin e Javës së Krenarisë 6 muaj më herët.”

“Kërkoj ndjesë të gjithë personave LGBTI+ që kanë pasur dëshirë të jenë pjesë e Paradës së Krenarisë këtë vit dhe u është pamundësuar për shkak të mënyrës së organizimit. Kemi tentuar shumë të bëjmë të mundshme pjesëmarrjen për të gjithë, por në mënyrë që të shënohet kjo ditë është dashur të kufizohemi me këtë numër” ka shtuar Mustafa.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top