Filma queer pasurojnë programin e edicionit të 11-të të Festivalit Anibar
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit “Anibar” ka filluar edicionin e tij të 11-të të hënën me 17 gusht, me program të pasur me filma, prezantime, panele, punëtori dhe masterklasa.
Duke qenë e pamundur që festivali të zhvillohet si çdo vit në qytetin e Pejës, këtë vit për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, festivali u organizua në atë mënyrë që i gjithë edicioni të plasohet në mënyrë virtuale.
Në një format krejtsisht të ri, Anibar këtë vit po mbahet në formë viruale duke shfaqur programin artistik përmes platformës digjitale. Tema e këtij edicioni të festivalit është “Njerëzit”, ku, përmes filmave artistikë, prezantimeve dhe paneleve që do të transmetohen gjatë këtyre ditëve, në fokus do të jenë puna dhe angazhimi njerëzor, të cilat u theksuan më shumë me situatën e krijuar si pasojë e pandemisë Covid-19.
Edhe pse ky edicion ka në fokus punën e të gjithë atyre që shërbyen dhe ende po shërbejnë në rendin e parë të detyrës si mjekët, infermierët, farmacistët, elektricistët, shitësit, bukëpjekësit etj, festivalit nuk i kanë munguar as sivjet filmat queer.
Si pjesë e programit special është shfaqur filmi anglez “All Monsters Are Humans/Të gjithë përbindëshat janë njerëz” me regji të Helen Spooner dhe Hugh Davies. Filmi është një dokumentar eksperimental i animuar prej 21 minutash, mbi dhunën policore të vitit 2017 të policisë kundër komunitetit LGBT në Azerbajxhan. Dhjetëra njerëz u arrestuan dhe më pas u torturuan dhe u dhunuan në burg.
Përmes rrëfimeve të personazhëve kryesorë dhe përdorimit të animacionit origjinal, ky dokumentar zbulon të kaluarën e tyre si dhe frikën e tyre për të ardhmen.
Ndërsa nga programi i të drejtave të njeriut, është dhënë premiera botërore e filmit kroat “All Those Sensations in my Belly/Gjithë ato ndjesi në stomakun tim” me regji të Marko Dješka, i cili bën fjalë për një vajzë transgjinore të quajtuar Matija, e cila përgjatë tranzicionit të saj, ka vështirësi që të gjejë një marrëdhënie të sinqertë dhe intime me një burrë heteroseksual.
Po në këtë program, shfaqet filmi kanadez “Something Else/Diçka Tjetër” me regji të Élodie Roy i cili bën fjalë për një grua të re aseksuale e cila përballet me një mjedis hiperseksual që promovon një model të veçantë të intimitetit, në të cilën ajo nuk ndihet e përfaqësuar. “Diçka Tjetër” është një film i animuar për zbrazëtinë emocionale të krijuar nga normativa seksuale, një koncept shumë i pranishëm në botën moderne.
Programe tjera të këtij edicioni përfshijnë filma nga Ballkani, filma ndërkombëtarë, filma për fëmijë, videoklipe muzikore etj.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit do të mbahet nga data 17 deri më 23 gusht. Gjatë kësaj kohe do të shfaqen 139 filma të përzgjedhur, të cilët mund t’i përcillni në platformën online.anibar.org