Për organizatat, më e rëndësishme është fitimi i çmimeve për të drejtat e njeriut, se sa vetë jeta dhe mirëqenia jonë!
Në tetor të vitit 2018, organizata mediale Kosovo 2.0 fitoi çmimin për gazetari për të drejtat e njeriut, për dokumentarin “Qielli po hapet”, dokumentar mbi komunitetin LGBTI+ në Kosovë, në të cilin kam marrë pjesë unë dhe disa shokë/shoqe tjera.
Ne kur kemi pranu në fillim me qenë pjesë e këtij dokumentari, autorët na kanë siguru se gjithçka do të jetë konfidenciale dhe askush tjetër përpos neve nuk do e dijë që ne jemi pjesë e dokumentarit. Duke e ditur që Kosovo 2.0 ka pasur aktivitete mbi komunitetin më parë, ne kemi pranu të jemi pjesë e këtij dokumentari. Deri këtu gjithçka ishte në rregull dhe bashkëpunimi me autorët ka qenë shumë i mirë.
Unë e kam mbajt sekret pjesëmarrjen time në dokumentar edhe prej shoqërisë time të ngushtë, sepse storia ime në atë dokumentar ishte storie që nuk e kam ndarë kurrë me askënd më parë, dhe asnjëherë nuk jam ndjerë rehat për të e ndarë me tjerë për shkak të traumave që i kam përjetu gjatë fëmijërisë nga abuzimet e shumta në shkollën fillore, veç pse kam qenë ndryshe.
Pas publikimit të dokumentarit, fatkeqësisht, frika ime më e madhe, që njerëzit e tjerë kanë me marr vesh që unë kam qenë pjesë e dokumentarit, u bë e vërtetë. Një mike e imja më pa një ditë dhe më pyeti “A je edhe ti pjesë e dokumentarit të Kosovo 2.0 a? M’kanë tregu që edhe ti kishe fol”. Një ditë tjetër dikush tjetër më tha “M’ka pytë *emri i një personi* a paska dal *emri im* out n’dokumentarin e Kosovo 2.0 a?”. Pas kësaj unë shumë i shqetësum, menjëherë i kam kontaktu autorët e dokumentarit, të cilët kanë kërku falje dhe më kanë konfirmu se të gjitha inqizimet janë fshi, por të cilët nuk e kanë mohu dhe nuk kanë arritë me e mbajtë sekret pjesëmarrjen time dhe një personi tjetër ne atë dokumentar.
Unë sot jetoj me frikën se edhe sa njerëz tjerë që unë nuk e kam idenë, e dijnë që unë jam në atë dokumentar. E gjitha çka po du me nxjerrë prej kësaj storie, është që gjithë personat LGBTI+ në Kosovë, të keni shumë shumë shumë kujdes në rastet kur organizatat e ndryshme që “mbrojnë komunitetin LGBTI+” ju kontaktojnë dhe dëshirojnë të bashkëpunojnë me ju, që gjithmonë të e keni mirëqenien tuaj primare, të keni shumë kujdes kujt poi besoni dhe me kë i ndani përvojat e juaja.
Për ata, më e rëndësishme është fitimi i çmimeve për të drejtat e njeriut, se sa vetë jeta dhe mirëqenia e neve si komunitet.
Stay safe!