8 Prilli – Dita Ndërkombëtare e Romëve
Bahtalo! Urime 8 prilli – Dita Ndërkombëtare e Romëve!
Të perceptuar si të pa civilizuar, të paarsimuar dhe të varfër, miliona romë që jetojnë në Evropën Juglindore, përballen me diskriminim sistematik. Por çfarë ndodh me romët LGBTIQ+? Mazhoranca i përjashton ngaqë janë romë. Komunitetet rome tradicionale i përjashtojnë ngaqë janë LGBTIQ+. Media dhe kultura heshtin.
Një studim i kohëve të fundit nga Këshilli Kombëtar Rumun kundër Diskriminimit ka gjetur se njerëzit LGBTIQ+ dhe romët janë midis grupeve që përballen me diskriminimin më të madh në Evropën Juglindore.
Në rastin e tyre, urrejtja nuk vjen vetëm nga shoqëria në përgjithësi, por edhe nga komunitetet e tyre. Për shembull, nuk është krejtësisht e pazakontë të shihet deklarata “jo ciganë” në profilet e aplikacioneve për takime LGBTIQ+, ndërsa nga ana tjetër, familjet konservatore rome besojnë se homoseksualiteti është i gabuar.
Në vitin 2015, Ara Art, një organizatë e të drejtave të njeriut e themeluar nga një grup artistësh romë nga Çekia, organizoi konferencën e parë ndërkombëtare të Romëve LGBTIQ+, në të cilën morën pjesë një grup i gjerë aktivistësh queer dhe romë nga e gjithë bota . Në total, 28 organizata nga 12 vende morën pjesë në konferencë, duke shpresuar që të rrisin vetëdijen në komunitetin rom – dhe shoqërinë më të gjerë – rreth situatës së romëve LGBTIQ+. Që atëherë, Ara Art ka mbajtur tre konferenca të tjera, duke u fokusuar në mënyrat në të cilat aktivistët mund të shtyjnë për ndryshime në ligjet kundër diskriminimit të vendit të tyre.
Në Kosovë, megjithëse gjithnjë e më shumë romët po krijojnë hapësirat e tyre dhe po luftojnë kundër shtypjes sistematike, romët LGBTIQ+ vazhdojnë të jenë të izoluar nga çdo anë. Përveç diskriminimit për shkak të etnisë së tyre, ata përballen edhe me diskriminimin për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor. Respektivisht, romët LGBITQ+ diskriminohen shumëfish, për shkak të etnisë, seksualitetit, gjinisë dhe gjendjes ekonomike.
Diskriminimi dhe shtypja ndaj romëve LGBTIQ+ ndodh brenda shoqërisë kosovare nga shumica shqiptare, brenda komunitetit rom nga homofobët e transfobët dhe brenda komunitetit LGBTIQ+ nga racistët. Rëndësia e afrimit të situatës së tyre nga një perspektivë ndërlidhëse është e domosdoshme.
Sot e çdo ditë, të reflektojmë mbi përgjegjësinë tonë kolektive për luftimin e racizmit, seksizmit, homofobisë, transfobisë dhe çdo formë të shtypjes sistematike ndaj romëve!