“Në fund të ditës, ne mund të durojmë shumë më tepër sesa mendojmë se mundemi.” – Frida Kahlo
Frida Kahlo, e lindur me 6 Korrik 1907, nga një fotograf gjerman dhe gruaja e tij e dytë meksikane, u bë një figurë qendrore në politikën revolucionare meksikane dhe artin e shekullit XX. Ajo ishte një nga piktoret më të veçanta dhe origjinale të të gjitha kohërave, e njohur më së miri për autoportretet e saj autobiografike dhe unike që përzienin elemente të realitetit dhe fantazisë. Edhe pse bëri një jetë të mbushur me vuajtje mendore dhe fizike, ajo kurrë nuk hoqi dorë dhe njihet për vetëbesimin e saj.
Në vitin 1925, në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, Kahlo pësoi lëndime të tmerrshme në një aksident në rrugë, kur u godit nga një parmak i hekurt që goditi legenin e saj. Fraktura të shumta në shpinë, këmbë dhe kockat e legenit të saj nënkuptoi që pjesa tjetër e jetës së saj mbizotërohej nga një luftë kundër dhimbjeve të mëdha dhe paaftësisë.
Frida i ka sfiduar stereotipet gjinore. Ajo tymoste, bënte boks dhe fitonte sfidat me tekila kundër burrave. Në një portret familjar, ajo u vesh si burrë për dallim nga të gjitha gratë tjera që ishin të veshura me fustane. Ajo nuk pranoi të ndryshonte tiparet e saj ‘mashkullore’, dhe njihet për mustaqet dhe vetullat e saj unike; elemente këto të cilat edhe i ekzagjeronte ndonjëherë kur pikturonte portretin e vet.
Ajo u martua me piktorin meksikan Diego Rivera, me të cilin patën martesë të hapur. Të dy kanë pasur afera jashtëmartese. Frida kishte marrdhënie tjera edhe me burra, edhe me gra. Ndonjëherë Frida kishte lidhje me të njejtat gra me të cilat flinte edhe burri i saj, Diego. Edhe pse jetonte në një vend ku shoqëria ishte homofobike dhe paragjykuese, ajo hapur dhe krenare bëri jetë si biseksuale.
Frida anashkaloi paraqitjen tradicionale të bukurisë femërore në art, dhe në vend të kësaj zgjodhi të përshkruante përvojat dhe sfidat e vërteta me të cilat përballeshin gratë. Temat e pikturave të saj përfshijnë abortin, vuajtjet, dështimet, lindjen, ushqyerjen me gji etj. Tema këto të injoruara dhe të cilësuara si tabu nga shoqëria.
Kahlo padyshim është ndër figurat më të shquara dhe admiruara feministe.
Pas vdekjes së saj, dhe pavarësisht talentit të saj të shquar dhe suksesit që ajo fitoi gjatë jetës së saj, Kahlo dukej e destinuar të qëndronte në hije të Diego Rivera, muralisti i famshëm me të cilin Kahlo kishte një martesë të trazuar (së pari e martuar më 1928, çifti u divorcua në 1940 dhe u rimartua vitin e ardhshëm).
Për shembull, titulli i gazetës “The New York Times” për Kahlon, thoshte: “Frida Kahlo, Artistja, Gruaja e Diego Rivera” dhe deri në 1985, puna e Kahlo nuk u shit në ankand. 15 vjet më vonë, një portret i Kahlo mblodhi 5.1 milionë dollarë në Sotheby’s.
Gjatë 30 viteve të fundit, statusi i Kahlo ka eklipsuar atë që ajo ose Rivera kanë arritur gjatë jetës së tyre, por “mbetet shumë për të mësuar për këtë artiste shpesh të keqkuptuar, një pragmatiste seksuale e cila ka pasur marrëdhënie me burra dhe gra, një protofeministe që ka investuar artin e saj me një autobiografi të mbushur me luftë dhe dhimbje “.
Për komunitetin queer, Kahlo rezonon jo vetëm për shkak të vyrtytit të “pragmatizmit seksual” ose bukurisë së saj androgjene, por për shkak të “krijimit të një bote alternative personale … rikthimi i vazhdueshëm i identitetit të saj, ndërtimi i një teatri të vetes “, që për të cilat ajo punonte duke duruar dhimbje të mëdha.
Përkundër jetës së saj të shkurtër, me fjalë të tjera, Kahlo ishte një e mbijetuar.
Frida Kahlo u gjet e vdekur më 13 korrik 1954; ajo ishte 47 vjeçe.
Disa ditë para vdekjes së saj, ajo shkroi në ditarin e saj: “Shpresoj që dalja të jetë e gëzueshme – dhe shpresoj të mos kthehem më – Frida”. Shkaku zyrtar i vdekjes u dha si një emboli pulmonare, megjithëse disa dyshuan se ajo vdiq nga një mbidozë që mund ose mund të mos ketë qenë aksidentale. Një autopsi nuk u krye kurrë.
Diego Rivera më pas shkroi se dita që vdiq Kahlo ishte dita më tragjike e jetës së tij, duke shtuar se, shumë vonë, ai e kishte kuptuar që pjesa më e mrekullueshme e jetës së tij kishte qenë dashuria e tij për të.
Frida është përshkruar si: “… një nga divat madhështore të historisë … një përplasëse e tekilas, një duhanpirëse me shaka të ndyta, biseksuale që çalonte nëpër lagjen e saj boheme me veshje të gjalla indigjene dhe e cila hodhi darka festive për pëlqimet e Leon Trotsky, poetit Pablo Neruda, Nelson Rockefeller dhe bashkëshortit të saj, muralisti Diego Rivera.”
Sot, më shumë se gjysmë shekulli pas vdekjes së saj, pikturat e saj marrin më shumë para se çdo artiste tjetër femër.