Tu e lexu qitash
“Koronavirusi nuk transmetohet tek homoseksualët” manipulon Gazeta Metro
Nale Dheze

“Koronavirusi nuk transmetohet tek homoseksualët” manipulon Gazeta Metro

Gazeta Metro ka publikuar një lajm absolutisht të pabazë dhe të trilluar në të cilën thuhet se “Sipas hulumtimeve të fundit shkencore nga doktor Hopp dhe Muller nga Instituti Botëror Kundër Viruseve ka rezultuar se koronavirusi nuk transmetohet tek homoseksualët.”

Me këtë rast, Dylberizm ka paraqitur ankesë ndaj Gazetës Metro në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës. 

“Me një hulumtim të thjeshtë online mund të vërtetohet se të dhënat e paraqitura në këtë artikull janë të pavërteta. Në botë nuk ekziston një institut i quajtur Institut Botëror Kundër Viruseve, si dhe emrat e mjekëve të përmendur janë emra të trilluar. Artikullit i mungon burimi i saktë i këtij lajmi dhe ky lajm nuk gjindet online në asnjë portal informativ në botë. Me këtë, konfirmohet se Gazeta Metro, duke manipuluar vëmendjen e qytetarëve ndaj informatave mbi virusin COVID-19 në situatën e shpallur të jashtëzakonshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka trilluar komplet një lajm me qëllim të marrjes së klikimeve nga lexuesit si dhe ka nxitur urrejtje ndaj personave që i takojnë komunitetit LGBTI. Gazeta Metro me këtë lajm ka nxitur lexuesit të besojnë se homoseksualët nuk preken nga Koronavirusi COVID-19, duke forcuar stereotipin dhe stigmën se homoseksualët janë qenie të ndryshme nga heteroseksualët, dhe si të tillë nuk mund të preken nga virusi COVID-19, duke nxitur paragjykimet dhe urrjetjen ndaj komunitetit LGBTI nga shumica heteroseksuale.” thuhet ndër të tjera në ankesën e Dylberizmit. 

Artikulli i publikuar nga Gazeta Metro.

Duke i përmendur nenet e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndër të tjera Dylberizm kërkon nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës që:

– Të publikohet përgënjeshtrimi i artikullit “Koronavirus nuk transmetohet te homoseksualët” i Gazetës Metro, duke ju rikujtuar atyre dhe gjithë mediave rregullat e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës mbi Raportimin e së vërtetës dhe përdorimit të gjuhës së urrejtes.

– Të kërkohet nga Gazeta Metro publikimi i kërkimfaljes ndaj personave gej/komunitetit LGBTI për publikimin e artikullit në fjalë, duke demantuar të dhënat e paraqitura në artikull dhe për nxitjen e urrejtes dhe paragjykimit ndaj personave gej/komunitetit LGBTI

Pas reagimit nga aktivistët në rrjetet sociale, Gazeta Metro e ka fshirë artikullin nga portali i tyre.

Dylberizm do t’ju mbajë të përditësuar rreth vendimit të KMShK-së.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top