75 organizata LGBTQ + shtojnë zërin e tyre në protestën për drejtësi për rastin George Floyd
Më 25 maj 2020, George Floyd, një qytetar afro-amerikan u vra në Powderhorn, një lagje në jug të qytetit të Minneapolis, Minesota të SHBA-ve. Ndërsa Floyd ishte prangosur dhe i shtrirë me fytyrën poshtë në një rrugë të qytetit gjatë një arrestimi, Derek Chauvin, një polic i bardhë nga Minneapolis, e mbajti gjurin e tij shtypur në anën e djathtë të qafës së Floyd për 8 minuta dhe 46 sekonda duke e mbytur.
Nga videot e publikuara nga dëshmitarët, George Floyd dëgjohet teksa i lutej policëve ta linin të ngrihej në këmbë.
“Më dhemb stomaku. Qafa më dhemb. Të lutem të lutem. Nuk mund të marr frymë” dëgjohet Floyd.
3 policë indiferent ndaj thirrjeve të tij, i qëndrojnë mbi kurriz duke e mbajtur të palëvizshëm, dhe i sjellin edhe vdekjen.
Protesta që dënojnë këtë akt brutal kanë shpërthyer që nga ajo ditë, dhe janë përhapur gjithandej nëpër qytete të ndryshme të Amerikës. Është raportuar dhunë ndërmjet policisë e protestuesëve. Protestat po vazhdojnë të zgjerohen nëpër vende të ndryshme të botës, si Kanadë, Australi, Gjermani e Britani të madhe.
Pak ditë para se komuniteti LGBTIQ + shënon Muajin e Krenarisë, protesta të tilla rikujtojnë të njëjtën brutalitet të policisë që ndezën trazirat Stonewall. Tani, më shumë se 75 organizata LGBTQ + janë duke shtuar zërin e tyre në protestë.
Në një letër të hapur të nënshkruar nga Kampanja për të Drejtat e Njeriut (HRC), Rrjeti i Edukimit Gej, Lezbike dhe Strejt (GLSEN) dhe nga dhjetëra mbrojtës e përkrahës të tjerë, anëtarët e komunitetit dënuan dhunën supremacisë së bardhë dhe padrejtësinë sistemike racore.
Më shumë se 75 grupe avokimi publikuan kolektivisht një letër të hapur.
“Komuniteti LGBTQ di për punën e rezistimit të brutalitetit dhe dhunës policore,” thuhet në letër. “Ne e festojmë qershorin si muajin e krenarisë, sepse përkujton, pjesërisht, ngacmimin dhe egërsinë e policisë në Stonewall në New York City, dhe më herët në Kaliforni, kur një dhunë e tillë ishte e zakonshme dhe pritej. Ne e mbajmë mend si një moment të rëndësishëm kur refuzuam të pranonim poshtërimin dhe frikën si çmimin e të jetuarit të plotë, lirshëm dhe autentikisht.”
Letra nderon George Floyd, Breonna Taylor, Ahmaud Arbery dhe Christian Cooper si viktima të racizmit dhe dhunës të përfshirë nga policia. Përmend gjithashtu vrasjet e të paktën dymbëdhjetë personave transgjinorë në Amerikë këtë vit, duke pranuar se një shumicë e viktimave transgjinore të dhunës janë gra me ngjyrë.
“Të gjitha këto incidente janë përkujtues të rreptë se pse duhet të ngritet zëri kur urrejtja, dhuna dhe racizmi sistematik shumë shpesh kalojnë me pandëshkueshmëri”, thuhet ndër të tjera në letër.
Autorët zotohen të bashkohen me lëvizjen Black Lives Matter dhe të luftojnë në mënyrë aktive për drejtësi racore, duke i lidhur dy shkaqet e tyre.
“Ne e pranojmë që qëllimi ynë organizativ nuk mund të përmbushet pa zhbërë racizmin sistemik dhe dhunën supremaciste të bardhë që targetojnë njerëzit me ngjyrë e ata indigjenë në shoqërinë dhe shkollat tona,” tha Eliza Byard, drejtoreshë ekzekutive e GLSEN.